Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka mbërritur në Itali, falë iniciativës së shoqatës ‘Hora e Skënderbeut’.
Kjo shtatore, një dhuratë nga mërgimtarët shqiptarë, iu është dedikuar arbëreshëve në shenjë mirënjohjeje për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave arbërore për më shumë se pesë shekuj.
Arbëreshët gjithashtu kanë kontribuar gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, duke ofruar ndihmë për kosovarët që ishin detyruar të largoheshin nga forcat serbe.
Vepra e skulptorit nga Prishtina, Gëzim Muriqi, do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) në Sicili. Inaugurimi i shtatores do të bëhet më 30 gusht 2024, që përkon me datën e themelimit të qytetit, i cili daton nga viti 1488.
Shoqata ‘Hora e Skënderbeut’ ka shprehur falënderimet e saj ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për financimin e transportit dhe ndihmën e stafit të saj në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm. Një falënderim i veçantë i është drejtuar veprimtarit Qamil Isufi për mbulimin e shpenzimeve shtesë, që siguruan nisjen me kohë të shtatores.
Shoqata falënderon gjithashtu të gjithë mërgimtarët, shoqatat, klubet dhe bizneset që kanë kontribuar me donacione për realizimin e këtij projekti. Pas dy vitesh angazhim, shtatorja ndodhet tashmë në Itali dhe, në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së Horës së Arbëreshëvet, Rosario Petta, do të vendoset në sheshin përballë bashkisë më 30 gusht 2024.