spot_img
Thursday, February 27, 2025
spot_img

Shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”, i akuzuari për spiunazh thotë se vëllait të tij i janë ofruar para për ta tërhequr deklaratën

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është dëgjuar dëshmitari Muharrem Qerimi, ndaj të cilit javën e kaluar Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për spiunazh, i cili tha që atij i janë ofruar para lidhur me tërheqjen e dëshmisë së vëllait të tij, Shpend Qerimi, lidhur me shpërthimin që ka ndodhur në lokalin “Sekiraqa” në vitin 2007.

Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M dhe P.S dhe ishin lënduar disa persona të tjerë.

“Më kujtohet pak, jo shumë mirë, jo shumë qartë, por e di që ka ardhë, që ka intervenu që Shpend Qerimi – vëllau im, me tërhek deklaratën lidhur me këtë rast. E di që ka ofru një shumë të parave, por unë nuk i kam marrë”, tha dëshmitari Qerimi.

Në dëshminë e tij, dëshmitari Qerimi tha se kjo ofertë ka ardhur përmes dajës së tij Beq Beqa, ku sipas tij, kjo ofertë ka ardhur nga i akuzuari Fadil Sadiku, por shtoi se nuk është i sigurt.

“Sa më kujtohet mua atëherë e ka përmend Fadil Sadikun, pasi që kanë qenë të të njëjtës komunë si Beq Beqa. Në mesin e fjalëve e ka përmend Fadilin por nuk jam i sigurt nëse e ka dergu Fadili apo jo”, tha Qerimi.

Lidhur më ketë, i akuzuari Fadil Sadiku pyeti dëshmitarin se a është në dijeni lidhur me deklaratën që ka dhënë Beqa, pasi që sipas tij, ai e ka demantuar këtë që sapo tha dëshmitari, Qerimi tha që nuk ka dijeni për këtë.

Po ashtu, gjatë kësaj seance është dëgjuar edhe dëshmitari Selajdin Kamishi, i cili deklaroi se i njihte disa nga të akuzuarit.

Gjatë, dhënies së dëshmisë së Komshit, prokurori i rastit, Armend Hamiti, i lexoi një pjesë të deklaratës së tij të dhënë në polici, në të cilin është një mesazh ku dëshmitari ia kishte dërguar një kolegu të tij lidhur me shpërthimin e lokalit.

“Mund të citoj, “O *** ***, mirë koka rrafshu po edhe shkronjat po mi vrasin sytë….”, citoi prokurori Hamiti lidhur me mesazhin që kishte dërguar dëshmitari të kolegu i tij Besnik Hasani.

Tutje, në pyetjen e prokurorit Hamiti, se cila kishte qenë arsyeja e këtij mesazhi pasi që sipas mesazhit duket që dëshmitari kishte inkriminuar kolegun e tij, Besnik Hasanin, dëshmitari tha se që nuk i kujtohet.

Gjithashtu, gjatë kësaj seance dëshmoi edhe dëshmitari Maliq Gashi, i cili tha se një koleg i tij i kishte telefonuar pasi që kishte para diçka të dyshimtë.

“Unë kam qenë duke punu në UNDP në Pjeton si sigurim dhe më ka thirr kolegu dhe më ka thënë që po shoh diçka të dyshimtë, i kam thënë thirre policin”, tha dëshmitari Gashi.

Tutje, ai tha që pas disa çasteve nga kjo bisede kishte ndodhur shpërthimi.

Paraprakisht, gjatë kësaj seance janë dëgjuar edhe dëshmitarët Luan Kadriu dhe Fadil Berisha, të cilët thanë që mbeten prapa dëshmisë së tyre të dhënë në polici.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, më 29 korrik të vitit 2016, shtatë të akuzuarit i kishte liruar nga akuzat për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, me arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.

Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim në prill të vitit 2017, nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së Prokurorisë, se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ishte i drejtë. Gjetjet e gjykatës së shkallës së parë se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, sipas Apelit kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 22 gusht 2014, saktësisht nga prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ngarkon Bejtullah Mehmetin, Luan Qerkinin, Bekim Sumën, Fadil Sadikun, Afet Dalloshin, Arbresh Dalipin dhe Mehmet Mehmetin.

Në pikën e parë, të akuzuarit ngarkohen se më 24 shtator 2007, Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin (të dy këta të dënuar tashmë për të njëjtën vepër penale) dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive të tjera të ulëta, dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, privuan nga jeta N.M., dhe P.S,.

Sipas aktakuzës, kjo ndodhi duke vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës të improvizuar në katin përdhesë në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në shkelje të neneve 23 dhe 147, par.4, 9 dhe 11 të Kodit Penal të Kosovës.

Aty thuhet se pas një historie të gjatë dhune ndërmjet policisë në Ferizaj, policëve të Njësisë ROSU dhe Enver Sekiraqës, dhe pas vrasjes së policit Triumf Riza, vrasje e cila në aktakuzë thuhet se “besohet të jetë urdhëruar nga Enver Sekiraqa”, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU planifikuan hakmarrje kundër Sekiraqës, duke hedhur në erë me bombë lokalin e tij në Prishtinë. Lokali thuhet se ndodhej në një zonë të populluar banesore, që ishte plotë me bare e restorante. Kurse, bomba thuhet se u vendos në muajin e Ramazanit më 24 shtator 2007, kur lokalet ishin të hapura për njerëzit që bënin syfyrin. Madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, thuhet se do të thoshte se të pandehurit kishin për qëllim të vrisnin.

Në pikën e dytë të aktakuzës, thuhet se Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe gjithashtu në bashkëkryeje me tani të dënuarit për të njëjtën vepër penale, Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive tjera të ulëta dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, ndërmorën veprim të menjëhershëm për të privuar nga jeta Xh.S., V.Z., L.N., G.S., E.N., N.H., F.B., L.K., Sh.S., M.K dhe T.K., duke vendosur dhe shpërthyer mjetin plaës në lokalin “Sekiraqa”, duke u shkaktuar lëndime të rënda personave të lartpërmendur.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” në shkelje të neneve 20, 23 dhe 147, par.4, 9 dhe 11 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, do të thoshte se të dyshuarit kishin për qëllim të vrisnin dhe kjo ndodhi pasi u vranë dy persona, si dhe tentuan të vrisnin 11 të tjerët.

Pika e tretë e aktakuzës, ngarkon të akuzuarit Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti se në bashkëkryerje me tani të dënuarit për këtë vepër Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, shkaktuan rrezik të përgjithshëm të jetës njerëzore, duke shpërthyer një mjet plasës të improvizuar, të vendosur në katin përdhesë të një ndërtese në bulevardin “Bill Klinton” në Prishtinë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave, u shkaktoi lëndime të rënda trupore 11 të tjerëve, si dhe shkaktoi dëme të mëdha pasurore në pronën dhe pasurinë e disa aktivitetve tregtare në Prishtinë.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” me shkelje të neneve 23 dhe 291, par.1 dhe 5 të Kodit Penal të Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU, ekzekutuan një plan dhe u takuan në Fermën e Deleve në Racaj një ditë para ditës kritike (23 shtator 2007), nga aty thuhet se dy persona u dëguan për të marrë mjetin plasës, minë kundër-tank dhe dy armë.

Aktakuza thotë se plani ishte të hidhet në erë lokali “Sekiraqa”. Pasi ishin kthyer, thuhet se i akuzuari Dalipi dhe dy të akuzuarit Mehmeti ishin udhëzuar çfarë të bënin, kurse Dalloshi thuhet se i la policët të ekzekutonin planin e tyre dhe i kishin pritur në një lokal në Kaçanik. Të dy veturat e Policisë, thuhet se ishin siguruar nga të akuzuarit Suma dhe Sadiku, e targat ia fshehu i akuzuari Bejtullah.

Në aktakuzë thuhet se pas kësaj, anëtarët e grupit nisen me vetura për Prishtinë për ta ekzekutuar planin. Bomba ishte vendosur në lokal rreth orës 2:10 mëngjesin e 24 shtatorit 2007, ku si pasojë u vranë dy persona dhe u lënduan 11 të tjerë.

Historia procedurale:

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit ishin hetuar në vitin 2007 pasi dyshoheshin se ishin përfshirë në shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”. Nga deklaratat e dëshmitarëve në vendngjarje më 2007, thuhet se ishte e qartë se në rast ishin përfshirë tetë policë në dy automjete të Policisë.

Në përfundim të hetimeve, u ngrit aktakuzë ndaj Besnik Hasanit, Shpend Qerimit dhe N.C., për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë. Kurse, Luan Qerkini, Bejtullah Mehmeti, Fadil Sadiku e Bekim Suma, nuk u akuzuan ngase nuk kishte prova të mjaftueshme.

Aktakuza e parë u ngrit më 12 gusht 2008, aktgjykimi u shpall më 22 shtator 2009, ku Hasani dhe Qerimi u dënuan me 25 vjet burgim, kurse N.C., u lirua nga akuzat. Vendimi u bë i prerë më 25 maj 2012.

Hetimi dhe aktakuza thuhet se ka nisur nga dëshmitë dhe provat e reja që kanë dalë në dritë nga vendimi lidhur me aktakuzën e parë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit