Ka hyrë në fuqi udhëzimi i përbashkët për vitin shkollor 2024– 2025 në sistemin arsimor parauniversitar mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Sot publikohet udhëzimi i plotë ku ndër të tjera bëhet me dije se regjistrimet dhe transferimet e nxënësve në institucionet e arsimit parauniversitar (IAP) të bëhen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe me procedurat e përcaktuara në urdhrin nr. 589, datë 16.10.2023, të MAS-it, “Për miratimin e rregullores për përdorimin e Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar”. “Objekt i këtij udhëzimi është përcaktimi i masave dhe i veprimtarive që ndërmarrin institucionet e sistemit arsimor parauniversitar gjatë vitit shkollor 2024– 2025”,-thuhet në udhëzim.
SHPËRNDARJA E TEKSTEVE SHKOLLORE
Në udhëzim bëhet me dije se drejtoritë e IAP-ve do të afishojnë në vend të dukshëm listën e teksteve shkollore, ku shënohen: titulli, shtëpia botuese, çmimi i tekstit për çdo klasë, vendi ku do të shpërndahen tekstet dhe periudha e shpërndarjes sipas një grafiku për çdo klasë.
“Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, drejtuesit e IAP-ve dhe mësuesit të ndjekin me përgjegjësi: procesin e shpërndarjes dhe të shitjes së teksteve shkollore për të gjithë nxënësit para fillimit të procesit mësimor; procesin e pajisjes me tekste shkollore falas dhe në përdorim falas për klasat I–IX të arsimit bazë, si dhe pajisjen me tekste shkollore falas të të gjitha kategorive të përcaktuara në VKMnë përkatëse.
Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP) të raportojë zyrtarisht në MAS për ecurinë e procesit të pajisjes së të gjithë nxënësve me tekste shkollore në përputhje me legjislacionin në fuqi”,-thuhet në udhëzimin e dy ministrive.
SHËRBIMI PSIKOSOCIAL
Drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar (DRAP) dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP) të marrin masa për funksionimin e shërbimit psikosocial, në zbatim të urdhrit nr. 313, datë 20.10.2020, të MASR-së, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit psikosocial në institucionet e arsimit parauniversitar dhe procedurat e emërimit, pezullimit dhe largimit nga shërbimi psikosocial”, i ndryshuar. DRAP-të dhe ZVAP-të të monitorojnë zbatimin e planit të punës të njësive të SHPS-së dhe të raportojnë në AKAP, në muajt janar dhe qershor 2025, për realizimin e tij. AKAP-ja të raportojë në MAS në muajt shkurt dhe korrik 2025.
Puna e punonjësve të SHPS-së në institucionet e arsimit parauniversitar të mbështetet në “Manuali i punës për punonjësit e shërbimit psikosocial në sistemin arsimor parauniversitar”, “Standardet e përgjithshme profesionale të shërbimit psikosocial shkollor”, “Parimet për etikën profesionale të shërbimit psikosocial shkollor”, të miratuara me shkresën e MAS-it nr. 2116/2 prot., datë 8.7.2022.
INSTITUCIONET ARSIMORE PARAUNIVERSITARE
Në udhëzimin e përbashkët të dy ministrive thuhet se arsimi parashkollor DRAP-të dhe ZVAP-të, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe me drejtuesit e institucioneve arsimore parashkollore (kopshtet), do të ndjekin me përparësi detyrat: marrjen e masave për krijimin e mjediseve të jashtme e të brendshme të institucioneve arsimore parashkollore të sigurta, miqësore dhe gjithëpërfshirëse, që të mundësojnë zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve; marrjen e masave për rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve 3–6 vjeç në arsimin parashkollor; regjistrimin me përparësi në institucionet arsimore parashkollore të fëmijëve me nevoja të veçanta: nga familjet në nevojë, nga pakicat kombëtare (romë, egjiptianë etj.) dhe fëmijë me aftësi të kufizuara.
Gjithashtu do të ndjekin ngritjen dhe funksionimin e komisioneve multidisiplinare për kryerjen e vlerësimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe caktimin e mësuesit ndihmës sipas legjislacionit në fuqi; hartimin dhe zbatimin e planeve edukative individuale për fëmijët me aftësi të kufizuara, nga mësuesit e arsimit parashkollor në bashkëpunim me personat që ushtrojnë përgjegjësinë prindërore të fëmijëve, psikologë, punonjës socialë, profesionistë nga strukturat e shëndetësisë dhe të shërbimeve sociale të specializuara; ngritjen në çdo institucion arsimor parashkollor të bordit, këshillit të prindërve, këshillit të mësuesve dhe komisionit të etikës e sjelljes, sipas legjislacionit në fuqi.
“Një tjetër pikë që do ti kushtohet rëndësi është edhe trajtimi me përparësi nga këshillat e mësuesve dhe nga rrjetet profesionale të temave: standardet e zhvillimit dhe të të nxënit të fëmijëve 3–6 vjeç; kurrikula me kompetenca dhe planifikimi sipas saj në arsimin parashkollor; portofoli i të nxënit; korniza e vlerësimit në arsimin parashkollor; standardet profesionale të formimit të përgjithshëm të mësuesit të arsimit parashkollor; standardet profesionale për drejtuesit e institucioneve arsimore parashkollore; arsimi gjithëpërfshirës; mësimdhënia me fëmijën në qendër; ndërgjegjësimi i prindërve për rëndësinë e frekuentimit të kopshtit nga fëmijët e moshës 3-6 vjeç; zhvillimi profesional i mësuesit dhe i drejtuesit të institucionit arsimor parashkollor, faktor në rritjen e cilësisë së shërbimeve për fëmijët 3–6 vjeç”,- thuhet në udhëzim.
Gjithashtu, arsimi bazë DRAP-të dhe ZVAP-të, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe me drejtuesit e institucioneve arsimore parauniversitare, do të ndjekin me përparësi: marrjen e masave për krijimin e mjediseve të jashtme dhe të brendshme për një shkollë miqësore, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse, të cilat nxisin edukimin dhe krijimin e një raporti të qëndrueshëm me mjedisin dhe natyrën; regjistrimin me përparësi të fëmijëve nga shtresat në nevojë, pakica kombëtare, me aftësi të kufizuara, të kthyer nga emigracioni, të fëmijëve viktima apo viktima të mundshme të trafikut të qenieve njerëzore etj.; zbatimin e udhëzimit nr. 14, datë 10.7.2023, të MAS-it, “Për numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesën mësimore të punonjësve arsimorë në institucionet e arsimit parauniversitar”; zbatimin e planeve mësimore për klasën e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt; zbatimin e planit mësimor për klasat V–IX; zbatimin e planit mësimor për pakicat kombëtare në arsimin bazë,; zbatimin e planit mësimor për Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë.
KARTA E PERFORMANCËS
“Për Kartën e Performancës të vitit shkollor 2023-2024 dhe për vitin shkollor 2024-2025: në dërgimin e të dhënave që burojnë nga shkolla, të sqarohet edhe procedura e përpunimit të të dhënave, siç është përcaktuar në udhëzuesin për Kartën e Performancës së shkollës; institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, mund të vendosin të kenë tregues rajonalë ose jo (p.sh.: të dhëna për lëndët me zgjedhje, arritjet e nxënësve me AK etj.); çdo shkollë në arsimin parauniversitar, deri më 3.9.2024, të plotësojë kartën e performancës së shkollës për vitin shkollor 2023–2024, si dhe ta bëjë atë publike për prindërit dhe komunitetin”,-bëhet me dije në udhëzim.
Nga ana tjetër ZVAP-të do të verifikojnë të dhënat e dërguara nga shkollat deri më 10.9.2024 e në fund të muajit shtator 2024, ZVAP-të të shpallin shkollat e suksesshme në zbatim të rregullores për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare “Shkollat të hartojnë kartën e performancës për vitin shkollor 2024–2025 me treguesit e përzgjedhur, bazuar në urdhrin nr. 157, datë 28.3.2022, të MAS-it, “Për miratimin e Kartës së Performancës së Shkollës dhe udhëzuesit të saj”; çdo shkollë e arsimit parauniversitar të llogarisë edhe ndryshimin në vlerë për treguesit e pasqyruar në kartën e performancës së vitit paraardhës”,-thuhet në udhëzimin e përbashkët.