Opinionisti nga Shqipëria, Armand Shkullaku ka thënë se ndërtimi “Rrugës së Kombit” ka bërë lidhjen mes Kosovës dhe Shqipërisë, sipas tij, kjo ka krijuar mundësinë e njohjes më të madhe të shqiptarëve mes të dyja shteteve shqip-folëse.
Ai ka potencuar se më parë kishte paragjykime mes shqiptarëve të të dyja vendeve, por tani ka ndryshuar.
“Që të flasim për bashkim nëse e kujtojmë historinë para 20 vjetëve kur Kosova u çlirua paragjykimet mes dy vende kanë qenë shumë më të mëdha. na u deshën 10 vote për të ndërtuar një rrugë, tani ajo rruga ka bërë diçka të jashtëzakonshëm. Ka bërë diçka të jashtëzakonshme, pra është ajo kur shoqëria zhvillohet, kur ndërton infrastrukturat, kur ka platforma e të tjera, janë shumë më të vlefshme se sa emocionet ‘A po bashkohemi?, ‘A po duhen shqiptarët e Shqipërisë?’, ‘A nuk po duhen shqiptarët e Kosovës?’”, ka pohuar Shkullaku
“Kjo çfarë ka krijuar, ka krijuar njohjen, se ne nuk jemi njohur, pra unë kam jetuar në Kosovë për pesë vjet dhe kam ardhur me tjera mendime dhe kam përjetuar tjera gjëra, dhe jam larguar me tjera mendime. Pra ka ekzistuar një lloj paragjykimi, rruga ka krijuar shumë lehtësi”.
“Rruga, infrastrukturat, shkëmbimet, televizionet, mediat, fejesat dhe martesat, pra një lloj riaktivizimi i asaj që ka qenë në fillim të shekullit të kaluar gjatë kohës së Mbretit Zog, ku një pjesë e madhe shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës kishin bashkëjetesë normale, është rikthyer dhe unë mendoj se kjo merr kohë”, ka thënë Shkullaku.
Ndër tjera, Shkullaku ka treguar se si mund të bëhet bashkimi kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, me cilat metodat.
“Nuk është bashkimi që e vendose një flamur dhe e shpalle. Por është nëse ke ti politika të përbashkëta ekonomike, nëse ke politikë të jashtme të njësuar, nëse ke politikë sportive e kombëtare shembull një kampionat futbolli. Ti krijon kushtet sepse të jep më shumë rezultat, je konkurrent në rajon dhe më gjerë. Pra, bëhesh një fuqi pavarësisht se mund të jesh dy shtete”.
“Por neve na mungon kjo gjë, ne edhe akademitë e shkencave i kemi kryetarë të partive politike që kryejnë një karrierë dhe më pas fillojnë të merren këtë punë. Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë pasë kurrë një politikë të tillë. Unë sigurisht nuk e marrë seriozisht as Albin Kurtin, as Edi Ramën dhe as Sali Berishën, kur thonë do të bashkohemi, çështja është me akte se çfarë është bërë në këtë drejtim”, ka thënë Shkullaku.