Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Veternik të Prishtinës, saktësisht në rrugën “Richard Holbrooke”, ku një person ka humbur jetën si pasojë e shembjes së dheut, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar.
Viktima që ka humbur jetën nga rrëshqitja e dheut është 40 vjeçar.
Lajmin e ka konfirmuar Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës.
“Sot rreth orës 13:00, është pranuar informacioni se dy persona janë zënë nga shembja e dheut në një vendpunishte në rrugën ‘Gjilani’ në lagjen Veterniku në Prishtinë”, ka thënë ai.
Borovci ka njoftuar se i lënduari tjetër është dërguar për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Nga informacionet e para është bërë e ditur se njëri nga ta është nxjerrë nga aty dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK, ndërkaq fatkeqësisht, tjetri, mashkull, rreth 40 vjeç, është konstatuar pa shenja jete, nga ana e mjekëve emergjent”.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe mekanizmat e tjerë të nevojshëm po vijon punën për sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Policia.