Partitë e ashtuquajtura të reja, të vogla, kanë fituar tri mandate në nivel vendi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri, bazuar në rezultatet preliminare.
Për herë të parë, mandate në Kuvendin e Shqipërisë kanë fituar Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe koalicioni Shqipëria Bëhet – Nisma Thurje, tregojnë rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri.
Pas numërimit të 1865 qendrave të votimit nga 5225 gjithsej, partitë e udhëhequra nga kandidatët Agron Shehaj, Arlind Qori dhe Adriatik Lapaj kanë fituar secili nga një mandat.
Mandatet, ato i kanë fituar secila në Qarkun e Tiranës, tregojnë rezultatet preliminare.
Partia Mundësia është një parti e regjistruar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti dhe udhëhiqet nga Agron Shehaj, një afarist nga Vlora, ish-deputet i Partisë Demokratike.
Lëvizja Bashkë është një parti e krahut të majtë, e cila udhëhiqet nga Arlind Qori, aktivist i majtë.
Ndërkaq, Shqipëria Bëhet është një parti e cila lindi si alternativë për ndryshim krahas dy partive tradicionale Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Shqipëria Bëhet, e cila garoi në koalicion bashkë me Nismën ‘Thurje’, udhëhiqet nga avokati dhe ish-pjesëtari i shoqërisë civile Adriatik Lapaj.
Tri mandate, një në Qarkun e Tiranës dhe dy të tjera në Qarkun e Shkodrës, i ka fituar Partia Social Demokrate e Tom Doshit, një ish-deputet i Partisë Socialiste me origjinë nga Shkodra.