Urdhri ekzekutiv i nënshkruar qysh në fillim të marrjes së mandatit nga Presidenti Donald Trump për pezullim të ndihmës së huaj të ShBA-së, çoi botën peshë.
Kjo pasi shumë programe që financohen nga qeveria amerikane nëpër botë, u pezulluan. Ky vendim u tha se do të mbetet në fuqi për 90 ditë derisa të rivlerësohen projektet.
Por, shqetësimi duket se pati paksa sukses, pasi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio hoqi dorë pjesërisht të martën nga Urdhri Ekzekutiv për Rivlerësimin dhe Rivendosjen e Ndihmës së Huaj të ShBA-së, duke lejuar që ndihma humanitare që shpëton jetë të vazhdojë gjatë pauzës 90-ditore në ndihmën e huaj, raporton Reuters.
“Zbatuesit e programeve ekzistuese të ndihmës humanitare për shpëtimin e jetës duhet të vazhdojnë ose të rifillojnë punën nëse janë ndalur”, deklaroi Rubio në vendimin që u publikua në faqen e Departamentit të Shtetit.
Ky vendimi i ri, megjithatë vjen me disa udhëzime, ndërsa Rubio tha se gjatë kësaj kohe nuk do të lejohet nënshkrimi i asnjë kontrate të re.
Në vendim u tha se ndihma humanitare për shpëtimin e jetës zbatohet për mjekësinë thelbësore për shpëtimin e jetës, shërbimet mjekësore, ushqimin, strehimin dhe ndihmën e jetesës, si dhe furnizimet dhe kostot e arsyeshme administrative sipas nevojës për të ofruar një ndihmë të tillë.
Po ashtu, u tha se ky vendim i ri nuk zbatohet për aktivitetet që përfshijnë aborte, planifikim familjar, konferenca, kosto administrative të ndryshme, programe të ideologjisë gjinore ose DEI, operacione transgjinore ose ndihma të tjera që nuk shpëtojnë jetë.
“Ndihma për Migracionin dhe Refugjatët (MRA) mund të përdoret vetëm për të mbështetur aktivitetet sipas seksionit 1(a) dhe për riatdhesimin e shtetasve të vendeve të treta në vendin e tyre të origjinës ose në vendin e tretë të sigurt”, u tha në vendimin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Rubio.
Ngrirja e ndihmës së huaj vë në rrezik miliarda dollarë ndihmë. Shtetet e Bashkuara, donatori më i madh i vetëm në botë, dhanë 72 miliardë dollarë ndihmë të huaj në vitin fiskal 2023.
Fushëveprimtaria e urdhrit të Trumpit fillimisht shkaktoi konfuzion midis ligjvënësve amerikanë, organizatave të ndihmës dhe Kombeve të Bashkuara. Departamenti i Shtetit u përpoq të qartësonte politikën të premten kur lëshoi një urdhër “të ndalojë punën” për të gjithë ndihmën e huaj ekzistuese dhe ndaloi ndihmën e re, sipas një kabllogrami diplomatik të parë nga Reuters.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres të hënën u kërkoi Shteteve të Bashkuara të konsiderojnë përjashtime shtesë për të “siguruar ofrimin e vazhdueshëm të zhvillimit kritik dhe aktiviteteve humanitare”.