Shteti i Serbisë është duke u angazhuar për të organizuar votimin e personave të zhvendosur nga Kosova, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, më 9 shkurt.
Në këtë proces është përfshirë edhe Komisariati për Refugjatë dhe Migrim, që është organizatë shtetërore në këtë vend.
Më 17 janar, ai u ka bërë thirrje personave të zhvendosur nga Kosova në Serbi, që të votojnë në zgjedhje, dhe ka bërë më dije se transporti deri në vendvotime, do të organizohet për të gjithë të interesuarit.
Ndërkohë, më 21 janar, Partia Përparimtare Serbe (SNS), që ka pushtetin në Serbi, ka mbështetur publikisht Listën Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë dhe ka bërë thirrje që të votohet për të.
Me zgjedhjen e saj sigurohet mbrojtja e popullit serb në Kosovë, ka thënë kryeministri i Serbisë dhe udhëheqësi i SNS-së, Millosh Vuçeviq.
Të zhvendosurit nga Kosova ndajnë mendime të ndryshme për çështjen e votimit dhe të përkrahjes së Listës Serbe, ndërsa opsionet e tjera politike serbe në Kosovë u bëjnë thirrje atyre që të mendojnë “për ata që jetojnë në Kosovë”.