Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kërkoi falje publike për votimin e gabuar të Serbisë në mbështetje të rezolutës së Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara, lidhur me përvjetorin e tretë të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ai e quajti këtë një “gabim teknik” dhe e mori përgjegjësinë për këtë vendim, duke theksuar se Serbia duhej të ishte abstenuar, siç veproi në rezolutën e SHBA-së.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën një rezolutë, e hartuar nga Bashkimi Evropian, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar, në përvjetorin e tretë të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, duke riafirmuar “angazhimin e KB për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Rezoluta u mbështet nga 93 shtete anëtare të KB, përfshirë Serbinë, ndërsa 18 votuan kundër, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, 65 shtete abstenuan. SHBA, nën administratën e re të Trump, kundërshtoi rezolutën dhe paraqiti një rezolutë të vetën, e cila nuk përmendte mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës dhe e quante pushtimin e Rusisë si një “konflikt”.
Disa orë pas votimit, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia kishte “gabuar” duke votuar për rezolutën e BE-së. “Na vjen keq për qytetarët e Serbisë. Marr përgjegjësinë e plotë për këtë, sepse nuk mund të ndjek çdo gjë”, tha Vuçiq, shkruan ‘Europeanwesternbalkans’.
Ai theksoi se Serbia duhej të ishte abstenuar nga rezoluta evropiane, siç bëri për rezolutën e paraqitur nga SHBA. “Nuk kam askënd për të fajësuar, sepse nuk arrita ta trajtoj këtë çështje në kohë”, tha Vuçiq, duke shtuar se lodhja e tij ndoshta ka luajtur një rol.
“Për fat të keq, nuk abstenuam. Më vjen keq thellësisht. Serbia ka kaluar në pozitat më të vështira për tre vjet, dhe do të vazhdojmë të veprojmë përgjegjshëm. Do të mundohem të punoj më shumë dhe më me kujdes”, tha ai.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, është Qeveria dhe jo Presidenti që implementon politikën e jashtme të Serbisë. Vuçiq ka qenë prej kohësh një subjekt kritikash nga një pjesë e publikut për faktin se merr vendime në mënyrë faktike jashtë kompetencave të tij kushtetuese.
Pas kërkimit të faljes publike nga Vuçiq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha agjencisë TASS se Rusia e kuptonte se vota e Serbisë për rezolutën “anti-ruse” të KB ishte një “gabim teknik”.
“Kremlini e vlerëson kërkimin e shpejtë të faljes nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Reagimi i tij i shpejtë lidhur me miratimin aksidental të rezolutës anti-ruse është i vlerësuar në Moskë. Rusia e kupton se ky ishte një gabim teknik”, tha Peskov.
Serbia mbetet ende shteti i vetëm kandidat nga Ballkani Perëndimor që nuk ka rreshtuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.