Wednesday, October 16, 2024
spot_img

Serbët shkojnë me gëzim në luftë

Shkruar nga Fadil Lepaja

Po në Evropë, me gëzim shkojnë? Mesazhet e një vizite tregojnë se rruga e Serbisë drejt Evropës është Nolens Volens. E parë nga kjo perspektivë dhe post festum, vizita e Presidentit Makron ngriti shumë pluhur në Ballkan dhe në përgjithësi nuk u regjistrua se sa eksplicite ishin kërkesat dhe formulimet e tij drejtuar serbëve. Qartësia e mesazhit ishte hutuese për të gjithë ata që janë mësuar tashmë që të trimërohet Serbia në rrugën e saj evropiane dhe të mbyllen sytë para shumë gafave dhe tekave të kësaj politike, për të ruajtur një baraspeshë e cila si duket edhe në vetë BE duket se është tejkaluar.

Padyshim, vizita e kreut të CIA-s do të ketë dërguar të njëjtat mesazhe, edhe më të drejtpërdrejta, por fjala e Makron, edhe pse ka hyrjen për miqësinë tradicionale të Francës me Serbinë, në fakt, ja bëri të qartë me dije se Serbia nuk ka alternativë tjetër.

Makron ja tregoi gjithashtu rrugën të cilën Serbia do ta ndjekë me patjetër nëse nuk do të jetë monedhë për kusur e rusëve. Fati i monedhave për kusur, sidomos në politikën ruse, është i njohur, aq më tepër që pavarësia serbe ishte rezultat i “kusureve” të Rusisë me ish-Perandorinë Osmane, dhe tani mund të ndodhë e kundërta, nëse Serbia e pranon këtë rol. “Vetëm në gjirin e Bashkimit Evropian të shteteve sovrane që ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen e tyre, Serbia do të mund të mbetet Serbi”, thotë ai.

Edhe pse duket përkrahëse, gjuha e Makron si asnjëherë më parë nuk la asnjë dilemë se Serbia nuk do të lejohet më të udhëheqë politikë asnjanëse, apo të jetë mirë me të dy palët ndërluftuese. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë dhe “domosdoshmërinë e një fronti unik” kundër pushtimit brutal të Ukrainës, por ka të bëjë me të ardhmen dhe vizionin se në çfarë Evrope duam të jetojmë, duke u shprehur i sigurt se rinia serbe dhe ajo franceze mendojnë njëjtë lidhur me të ardhmen e përbashkët.

Në fjalën e tij, lidhur me Kosovën, ishte po ashtu krejtësisht i qartë kur foli për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë dhe marrëveshjet e Ohrit. Serbët në Kosovë janë pakicë, por do të gëzojnë të drejtat e pakicave dhe do të kenë një asociacion të komunave, premton ai angazhimin e fuqishëm të Francës në këtë drejtim. Deklaratat e tij lidhur me hapat e qeverisë kosovare shkojnë në po të njëjtin drejtim. Ushtrimet e karabinierëve italianë mbi urë dhe gatishmëria e KFOR-it për të mbrojtur të gjitha palët tregojnë konturet e politikës së re: Kosova do të shtrijë sovranitetin, në bashkëpunim me BE dhe komunitetin serb.

Serbia ose do të ecë vetë për në Evropë ose do të tërhiqet zvarrë, mund të lexohet qartë nënteksti i Makron. Tash, nuk duket se kishte rrugë tjetër, pasi Serbia lëshimet nuk i kuptonte si vullnet të mirë por si dobësi të Evropës. Për të çmontuar mekanizmin permanent të konfliktit që e dirigjon Serbia dhe për të siguruar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, Makron dhe kreu i CIA-s, përkundër spekulimeve të medias dhe politikave lokale, do të detyrojnë të dy palët t’u përmbahen drejtimeve dhe dinamikave të bllokut ushtarak dhe politik perëndimor. Nuk ka rrugë tjetër përpos përfshirjes në proces, ku të gjitha palët duhet të konsiderojnë prioritetet e luftës dhe paqes në kontinent.

Pra, nuk është se Serbia e ka lutur BE-në për anëtarësim. Ajo e ka shantazhuar BE-në që për hir të paqes, ta pranojë Serbinë ashtu si është në radhët e veta, por mesazhi i Makron ishte pikërisht e kundërta. Serbia është në Evropë, me gjeografi edhe me histori, edhe pse me këtë të dytën serbët dhe regjioni duhet të punojnë edhe pak.

“Është koha që së bashku, pa pasione të tepruara, të shikojmë historinë në mënyrë që ajo të mos përbëjë më një pengesë, siç është ende sot, midis nesh dhe, edhe më shumë, midis vendeve të rajonit ku që të gjitha janë të ftuara të jenë së bashku në krahët e Bashkimit Evropian. Historianët e të gjitha vendeve tona – anëtare të BE-së dhe vende kandidate, ndoshta mund të na ndihmojnë në këtë rrugë duke u angazhuar në një punë kolektive për këtë.”

Ka një kastë kleronacionalistësh në të gjitha elitat serbe, që vërtetë duan të luftojnë për Serbinë e vjetër dhe politikën e saj lindore, por a do vërtetë rinia dhe qytetaria serbe të luftojë për të kaluarën?

Është një këngë e vjetër serbe, e cila u këndon ushtarëve serbë të cilët me gëzim shkojnë ushtarë të luftojnë për vendin e tyre.

“Me gëzim serbi shkon ushtar, dy e tërheqin zvarrë, e tre e godasin”. Kah po shkon Serbia: në Evropë apo në luftë? Po shkon Serbia drejt Evropës apo po e tërheqin zvarrë, me hir apo me pahir? Ajo që është e sigurt është se me luftën në Ukrainë ka ndërruar komplet strategjia e BE dhe e perëndimit ndaj Ballkanit. Nëse dikur synohej të ruhej Linja e Teodosit e vendosur qysh në vitin 395 e cila ndante perandorinë romake në atë lindore dhe atë perëndimore, tashmë ajo linjë do të zhduket krejt dhe Serbia nuk mund të jetë më diçka në mes, pra nëse nuk do elita e saj Evropën, Evropa e do atë.

Gjithsesi, nëse Serbia, e dominuar nga politika ruse, zgjedh të mos rreshtohet qartë politikisht dhe ushtarakisht me Evropën, atëherë… në fakt kjo alternativë nuk shihet në mesazhet e fundit që mori qeveria dhe shteti serb.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit