Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, po i shkel rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vëzhguar që janë të vendosur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Ani pse rregullat për vëzhguesit janë të vendosura në çdo tavolinë të numëruesve, Rama që është i akredituar si vëzhgues, nuk po i përfill ato.
Veprimet e tilla i kanë shqetësuar disa prej vëzhguesve. Në kushte anonimiteti, ata i kanë thënë gazetës se Rama po ndërhyn herë pas here në punën e tyre.
Ata janë ankuar edhe në KQZ-në që nuk po merr ndërmarr asnjë masë ndaj tij.
“Z. Alim Rama, që është sekretar i VV-së, shpeshherë ndërhyn në punën tonë. Ai këtë e bën edhe pse e di që një gjë e tillë është e ndalur. Pavarësisht ndërhyrjeve të tij, KQZ-ja po e toleron këtë sjellje dhe nuk po merr asnjë masë ndaj tij”, ka thënë numërues në kushte anonimiteti.
Zyrtari i lartë i VV-së një gjë të tillë e ka bërë edhe sot, ku po numëroheshin votat e diasporës.
Rama u pa disa herë duke folur me numëruesit e votave.

Komunikimi i vëzhguesve me numëruesit është i ndalur me rregullat e vendosur nga KQZ-ja.
Rregullat që tregojnë udhëzimet për vëzhguesit janë të vendosur në çdo tavolinë.
Pika katër thekson në mënyrë të qartë se komunikimi vëzhgues-numërues është i ndalur.
“Vëzhguesit qëndrojnë përballë grupeve të numërimit, në një largësi të përshtatshme nga tavolina e punës dhe e kanë të ndalur të kenë kontakt fizik me materialet zgjedhore, si dhe me komunikimin me ekipet e numërimit”, thuhet në piken 4.
Kurse, në piken gjashtë ceken masat që duhet të ndërmerren ndaj vëzhguesve nga KQZ-ja, nëse ata i shkelin këto rregulla.
“Në rast se vëzhguesi nuk iu përmbahet rregulloreve të përcaktuara, përjashtohet nga QNR”, thuhet në piken 6 të rregullores.
