Ka filluar seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të dyshuar për spiunazh për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit.
Të njëjtit sot para gjykatës janë deklaruar të pafajshëm.
Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Shabanit dhe Qerimit, nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale të spiunazhit.
Ata u arrestuan në qershor të vitit të kaluar në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Bedri Shabani e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, para fillimit të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe deri në arrestimin e tij në vitin 2024.
Shabani akuzohet se ka mbledhur informata, dokumente dhe materiale që ndërlidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë eprorët e saj si dhe për ngjarje dhe objekte specifike, si Spitali Ushtarak i UÇK-së – dhe ia ka dërguar ato BIA-s përmes komunikimeve telefonie, postës elektronike dhe takimeve fizike në territorin e Serbisë.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime, Shabani e ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.
Ndërkohë, Muharrem Qerimi akuzohet se e ka ndihmuar BIA-n nga viti 2012 deri në vitin 2024, duke i dërguar asaj informata, dokumente dhe materiale të ndryshme në lidhje me luftën dhe pjesëtarët e UÇK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
Qerimi është përmendur edhe për dyshimet për kryerje të veprës penale “mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Policia e Kosovës kishte konfiskuar armë, municione dhe maska ushtarake gazi në dy lokacionet e Shabanit dhe Qerimit në Ferizaj vitin e kaluar.