spot_img
Saturday, November 30, 2024
spot_img

Sarrazin trazon politikën kosovare: Një treg i përbashkët rajonal pa Kosovën – nuk i largojmë ushtarët nga Ura

Një paraqitje publike e emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, të enjten, e ka trazuar politikën kosovare.

Në intervistën për televizionin Kohavision të enjten Sarrazin paralajmëroi formimin e një mekanizmi të ri për tregun e përbashkët rajonal pa Kosovën, nëse Qeveria nuk zhbllokon futjen e mallrave serbe. Tha se Gjermania e konsideron veprim të papërgjegjshëm largimin e trupave ushtarakë të saj nga Ura e Ibrit “në këtë moment”.

Sarrazin, i cili e ka vizituar Kosovën dy herë brenda tetë ditëve të fundit, theksoi se në Kosovë ndodhej për negociata me Qeverinë në mënyrë që të arrinin një kompromis për heqjen e ndalesës së importeve nga Serbia.

Megjithatë, ai tha se ka marrë përgjigje negative nga kryeministri Albin Kurti.

Kësisoj, Sarrazin paralajmëroi një mekanizëm për tregun e përbashkët rajonal “gjashtë minus një” – që nënkupton mosftesën e Kosovës në këtë nismë.

“Është relativisht e qartë për mua se si është situata. Nëse Procesi i Berlinit nuk arrin të ofrojë rezultate konkrete në tregun e përbashkët rajonal, gjithë shpresat që kishim në planin e ri të rritjes, por edhe në idenë që të kemi këto katër liri në rajon duke sjellë mundësi për njerëzit të lëvizin lirshëm, mallrat të qarkullojnë lirshëm. Do të jetë kthesë prapa në besimin që mund të integrojmë rajonin bashkë. Do të jetë shumë keq kjo. Nuk do të ndalemi vetëm pse Kosova po bllokon. Kosova mund të bllokojë vetëm veten. Do të adoptojmë mundësi tjetër për një mekanizëm të përkohshëm, jo CEFTA”, u shpreh Sarrazin.

I pyetur për çështjen e Urës së Ibrit, mesazhi i emisarit të Republikës Federale të Gjermanisë ishte i qartë: “Nëse më pyesni mua nëse është e përgjegjshme që tash t’i largojmë ushtarët tanë nga Ura, unë them jo”.

Ai e përsëriti të njëjtin qëndrim edhe disa herë të tjera.

“Dëgjoni, sa i përket Urës, unë vetëm do të thosha që ne kemi një situatë më të vështirë sesa situata kur ne u pajtuam në parime. Prandaj, të gjithë duhet të punojmë për një gjendje që është e besueshme dhe që hapja e Urës është një shenjë pozitive për të dy komunitetet. Dhe kjo natyrisht se nuk është përgjegjësi e Prishtinës, por nëse është e mundur edhe nga popullata lokale serbe. Por sinqerisht, nëse më pyesni mua nëse është e përgjegjshme që tash t’i largojmë ushtarët tanë nga Ura, unë them jo. Nuk është e përgjegjshme në këtë moment, ani se ne qëndrojmë në parimet për të cilat jemi pajtuar, apo ideologjinë. Por gjendja e tanishme në terren, unë supozoj se nëse i heqim ushtarët tanë nga aty, dhe ta hapim Urën, do të ishte jo e përgjegjshme në këtë moment”, tha ai.

Sarrazin foli edhe për marrëveshjen mes Gjermanisë dhe Serbisë për litiumin, e cila, sipas tij, nuk ka ndikuar në ndryshimin e qëndrimeve politike të Gjermanisë për raportin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Po e kuptoj se në Kosovë krijohet përshtypja se ne kemi shumë nevojë për Serbinë, por do t’ju qetësoj, duke thënë e Serbia ka nevojë për Bashkimin Evropian për këtë, për shkak se ende nuk janë fuqi botërore”, tha Sarrazin.

Në fund, emisari gjerman tha se Gjermania e konsideron Kosovën aleatin kryesor të saj në rajon.

“Do të ishte negative nëse krijohet bindja se bashkëpunimi rajonal apo integrimi rajonal mund të realizohet duke e përjashtuar Kosovën. Do të ishte një imazh krejt tjetër nga ai që është, se mund të llogarisim në Kosovën në shtegun rajonal drejt BE-së. Ju jeni aleati ynë kryesor në rajon. Me apo pa litium… dhe nëse doni ta sillni me sukses rajonin në BE, dhe ta përafroni, duhet të pyesim me apo pa Kosovën. Këtë nuk e duam, prandaj duhet të kemi politikanë në Kosovë që janë të gatshëm për kompromise dhe të jenë aq të fuqishëm sa për t’ia shpjeguar opinionit. Kosova do të jetë më e sigurt dhe më e suksesshme dhe më e njohur nëse i shkojmë këtij shtegu bashkë”, tha Sarrazin.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit