Gazeta e njohur gjermane, “Bild”, të mërkurën raportoi se Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
Në një artikull të gazetës gjermane, mes tjerash thuhej:
“Sipas të dhënave të Bild-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të ShBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”.
Ndërkohë, sipas informacioneve në faqen zyrtare të NATO-s, Italia ka më së shumti trupa në KFOR, gjithsej 1 mijë e 258.
Më pas, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 602 ushtarë.

Ndryshe, në artikull thuhet: “Ka shqetësim të madh në shumë pjesë të Evropës për negociatat amerikano-ruse. Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa. Sipas të dhënave të Bild-it, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët perëndimorë kanë frikë se bisedimet që nisën sot në Riad do të mund të çonin në përfundimin e pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës”.
Një zyrtar i sigurisë në Evropën Lindore i tha gazetës: “Sipas të dhënave tona, kjo ka të bëjë me kërkesat e Putinit të vitit 2021, që janë tërheqja e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që janë bërë pjesë e aleancës pas vitit 1990.”