Stokholm – Gara e Evropës për t’u riarmatosur po përshpejtohet, por jo aq sa duhet. Për një shqyrtim më nga afër të këtij paradoksi, kohët e fundit vizitova Suedinë, një vend që hoqi dorë nga 200 vjet neutralitet – dhe nga dekada çarmatimi të njëanshëm – kur u bë anëtarja më e re e NATO-s vitin e kaluar.
Duke qenë përballë marrëdhënieve transatlantike të përkeqësuara dhe rritjes së armiqësisë nga Rusia, suedezët nuk duhet ta mendojnë më kombin e tyre si një “popull idealist sy blu në periferi të zhvillimeve”, por përkundrazi si “një komb me një qëndrim realist, dhe në qendër të ngjarjeve”, tha në janar kryeministri Ulf Kristersson.
Vendi, shtoi ai, nuk është në luftë, por as në paqe. Ashtu si në pjesën më të madhe të Evropës Veriore dhe Lindore, qasja e re realiste e Stokholmit ka frymëzuar një shkëputje të shpejtë nga vetëkënaqësia e pas Luftës së Ftohtë, gjatë së cilës u zvogëlua ushtria dhe shpenzimet në mbrojtje.
Në vitin 2013, Ministri i Mbrojtjes i Suedisë tha se vendi mund t’i rezistonte një sulmi të armatosur për jo më shumë se një javë, pavarësisht një industrie vendase të armëve që prodhon disa nga avionët luftarakë, tanket dhe nëndetëset më të përparuara në botë.
Vetëm 4 vitet e fundit, buxheti i mbrojtjes i Suedisë është dyfishuar dhe janë planifikuar shpenzime të reja të mëdha deri në vitin 2030. Të nxitura nga huamarrja qeveritare, shpenzimet ushtarake – vetëm 1 për qind e prodhimit ekonomik suedez në vitin 2017 – pritet të arrijnë në 3.5 për qind deri në vitin 2030, niveli më i lartë që nga vitet 1960.
“Shpejtësia e transformimit në Suedi, është një provë se shoqëritë mund të ndryshojnë me shpejtësi”- thotë Gerald Knaus, një sociolog që drejton ojf-në “Nisma Evropiane për Stabilitet”. Ky është një këndvështrim i arsyeshëm.
Por përforcimi i mbrojtjes së Evropës, mbetet ende shumë pas në krahasim me tranzicionin e shpejtë të Rusisë drejt një gjendjeje lufte. Një e treta e shpenzimeve të Moskës, e barabartë me afërsisht 7 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, shkon tani për ushtrinë.
Asnjë anëtar evropian i NATO-s nuk i afrohet kësaj shifre. Shërbimet e inteligjencës evropiane, paralajmërojnë se Kremlini mund të sulmojë një anëtar të vogël të NATO-s – ndoshta një nga shtetet baltike në krahun lindor të aleancës – vetëm disa muaj pasi të mbarojë lufta në Ukrainë.
Ndërkohë, një sulm i madh do të jetë i mundur brenda 5 vjetësh. Ky parashikim e ka tronditur Suedinë. Në vitin 2022, pasi trupat ruse pushtuan Ukrainën, gati 30.000 suedezë aplikuan për t’iu bashkuar Gardës së Brendshme, një forcë me kohë të pjesshme e ngarkuar me mbrojtjen territoriale.
Ishte një rritje me 6 herë krahasuar me vitet e mëparshme. Po atë vit, qeveria ringjalli një pozicion në kabinet për të mbikëqyrur mbrojtjen civile, një post i hequr pas Luftës së Dytë Botërore. Ushtria suedeze po zgjeron me shpejtësi radhët, duke përfshirë rekrutë të rinj.
Vitin e kaluar, një broshurë me titullin e theksuar “Në rast krize ose lufte” iu dërgua me postë çdo familjeje suedeze, duke përshkruar praktikat më të mira në rast emergjence. Ato përfshijnë lënien mënjanë të parave të gatshme, një mall i rrallë në një vend të lidhur me pagesat dixhitale.
Ideja, më tha Kristersson në një intervistë, është se suedezët, të famshëm për individualizmin e tyre, duhet të përgatiten për sakrifica. “Ata s’mund të presin që SHBA të vazhdojë të jetë ofruesi kryesor i sigurisë për vendet evropiane”- nënvizoi ai.
Në periferi të Stokholmit, kalova një pjesë pasditeje të së shtunës me 24 suedezë që e kanë marrë seriozisht këtë mesazh. Ata ishin mbledhur për një kurs vullnetar intensiv, mbi atë që duhet të bëjnë në rast krizash, për të cilat të gjithë të pranishmit e kuptuan se ka të ngjarë ta kenë origjinën nga Rusia.
Zyrtarët më thanë se më shumë se 200.000 suedezë pritet të ndjekin kurse të ngjashme brenda këtij viti. “Ne në Suedi, na kanë përkëdhelur shumë. Jemi shumë të pasur dhe gjithmonë kujdesemi shumë për veten” – më tha Anna Nuback, që drejton Lotta Corps, një organizatë grash që organizon kurset. “Mesazhi ynë është: Të përgatitemi për sakrifica!”.
Tani çështja është se si të përputhet ndjesia në rritje e urgjencës, me burimet e nevojshme për t’u përballur me kërcënimin rus. Situata bëhet edhe më urgjente, ndërsa Uashingtoni po shqyrton tërheqjen e më shumë se 85.000 trupave amerikane të stacionuara në Evropë.
Shtatë ose tetë vjet më parë, Suedia “kishte shumë kohë, por shumë pak para” për të përgatitur mbrojtjen e saj, më tha Pal Jonson, Ministri i Mbrojtjes i Suedisë. “Tani, kemi shumë më tepër para, por shumë pak kohë”- thekson ajo.
Diku tjetër në Evropë, ka një urgjencë të ngjashme, ndërsa vendet po nxitojnë të zgjerojnë forcat e tyre të armatosura. Por ato janë të kufizuara nga nevoja për të furnizuar Ukrainën, ndërsa po pakësohen dërgesat e armëve të SHBA-së. Dhe në të gjithë kontinentin, është i pamjaftueshëm kapaciteti industrial i mbrojtjes.
Prodhuesit evropianë të armëve, nuk mund të zëvendësojnë mbrojtjen ajrore të prodhuar në SHBA, dhe sistemet e tjera kritike që i nevojiten Kievit. Në këtë këndvështrim, ekziston një logjikë të ftohtë në kërkesën e presidentit Donald Trump që anëtarët evropianë të NATO-s, shpenzimet e të cilëve për mbrojtjen janë mesatarisht rreth 2 për qind të PBB-së, t’i rrisin shpenzimet e tyre në 5 për qind të PBB-së.
Evropianët u tmerruan kur Trump e bëri këtë kërkesë. Vetë NATO po shqyrton një objektiv të ri shpenzimesh prej vetëm 3.5 për qind të prodhimit ekonomik. Por nëse janë të sakta vlerësimet e vetë Evropës për kërcënimin që paraqet Rusia, atëherë kërkesa e Trump duhet të merret seriozisht.
Kur e pyeta Kristerssonin për këtë çështje, ai nuk u tremb. Shpenzimet e përgjithshme ushtarake të Suedisë mund të arrijnë në atë nivel brenda 5 vjetësh, duke përfshirë armët për Ukrainën dhe programet e mbrojtjes kibernetike dhe sistemeve të tjera hibride. “Ekziston një arsye shumë e mirë për ta bërë këtë!”- nënvizoi ai. “Washington Post”