Konfliktet në lokale të ndryshme në qytetet e Kosovës, si dhe në diskoteka të cilat veprojnë pas mesnate janë bërë mjaft të shpeshta. Këto raste jo rrallëherë eskalojnë edhe në përleshje fizike, siç dyshohet se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, afër diskotekave që ndodhen në zonën industriale në Prishtinë.
Këtë herë, gjashtë persona janë përfshirë në përleshje, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Sipas informacioneve të para, 2 prej të dyshuarve janë kapur me katër të tjerë, për motive akoma të panjohura dhe për pasojë pësuan lëndime e përfunduan në QKUK.
Burimet thonë se pasi Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin në të cilin janë përfshirë dhe më pas janë dërguar në Qendrën e Ndalimit për 48 orë, përveç njërit prej tyte, i cili po vazhdon trajtimin në QKUK, shkruan Sinjali.
Ndaj të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor”.