Një përleshje fizike ku janë përfshirë disa të rinj shqiptarë dhe serbë ka ndodhur mbrëmë në Mitrovicën e Veriut, për motive akoma të panjohura.
Dje ishte raportuar se si pasojë e kësaj, dy persona kanë pësuar lëndime, ndërsa katër të dyshuar janë shoqëruar në Polici, ku më pas është vërtetuar se tre prej tyre s’kishin lidhje me rastin dhe janë liruar menjëherë, ndërsa personi tjetër ishte liruar pas intervistimit si i dyshuar.
Ndërkaq, sot Policia ka njoftuar se në lidhje me këtë rast janë identifikuar edhe tre persona tjerë, ku dy prej tyre janë liruar pas intervistimit, ndërsa njëri prej tyre mbetet në interes të Policisë që të intervistohet më tej.
“Lidhur me rastin e përleshjes e cila ka ndodhur me datë 06.03.2025 rreth orës 21:00 ku ishin shoqëruar në stacion policore 4 persona si të dyshuar mirëpo pasi që është vërtetuar se tre(3) prei tyre nuk kishin të bëjnë me rastin të njëjtit janë liruar menjëherë ndërsa njëri nga ta është intervistuar si i dyshuar dhe më pas liruar në procedurë të rregullt. Personat e lënduar kanë pranuar trajtim mjekësor dhe është kontaktuar Prokurori kujdestar.
Sot me datën 07.03.2025 pas një pune intensive hetimore nga njësitet policore janë identifikuar edhe 3 persona të përshirë në rast ku prei tyre 2 janë shoqëruar në stacion të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt ndërsa personi tjetër është identifikuar dhe mbetet në interes për policin që të intervistohet.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në trajtimin e rasteve të dhunës dhe siguron qytetarët se çdo veprim i kundërligjshëm do të trajtohet me seriozitet të plotë, andaj bënë thirrje tek të gjithë qytetaret që çdo problem që kanë të raportojnë Policinë në linjat zyrtare”, shkruhet në postimin e Policisë.