Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim për media, ku bën me dije se është ekstraduar nga Spanja, ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha.
Blutë e konsiderojnë 54-vjeccarin një shtetas me rrezikshmëri shoqërore të lartë, të akuzuar për disa ngjarje kriminale kundër jetës.
“Operacioni për kapjen e tij në Spanjë, i koduar “Sant Joan”, u finalizua më 14 dhjetor 2023, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FAST Albania-s dhe FAST Spanjës.
Në vijim të këtij bashkëpunimi, Interpol Tirana dhe Interpol Madridi finalizuan procedurën për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, L. B., 54 vjeç. Në vitin 2020, atij i është caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal”, informon policia.