Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shpërfilli urdhrin e gjykatës për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Shpërfilljen e zgjodhi ta bëjë në publik nga Gjilani ku shkoi për të hedhur gurthemelin e një çerdheje dhe për të ridërguar mesazhin Prokurorisë Speciale se për ta marrë dëshminë e tij duhet t’i shkojnë në zyre.
Ky veprim i Kurtit ndeshi në reagime të misioneve të huaja në vend që i kujtuan Kurtit të bëhet më i vëmendshëm për gurthemelin e shtetit ligjor – pavarësinë e gjyqësorit e prokurorisë.
Ambasada gjermane në Kosovë tha se pret që sundimi i ligjit dhe procedurat të respektohen nga të gjithë.
“Jemi plotësisht dakord me deklaratat e bëra nga misionet e tjera. Ne presim që të respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe të respektohen procedurat dhe proceset përkatëse nga të gjithë”, tha zëdhënësi i ambasadës, Christian Böttcher në një përgjigje për Gazetën.
Përveçse nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, Kurti para gazetarëve në Gjilan e sulmoi atë.
“Shtrohet pyetja pse i humb prokuroria tre muaj. Për shkak se është më shumë e interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi. Kurrë prokuroria e shtetit nuk ka qenë më e lirë për të vepruar. Fatkeqësisht lirinë po e përdorë, po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionit”, tha Kurti, duke insistuar se nuk po refuzon të japë dëshminë, por se ajo duhet të bëhet në zyrën e tij.
Gjykata Themelore në Prishtinë para disa ditësh lëshoi urdhër që e obligon Kurtin të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Urdhri erdhi pasi kryeministri nuk u është përgjigjur dy ftesave që ia ka bërë Prokuroria në muajt e fundit.
Ndërkohë, Zyra e Kurtit i kishte dërguar letër Gjykatës Themelore me kërkesën për ta urdhëruar Prokurorinë që ta marrë dëshminë e Kurtit në Kryeministri.
Gjithë refuzimin për të shkuar në Prokurorinë Speciale Kurti po e bën me arsyetimin se nuk dëshiron të bëhet “lajm botëror” dhe se mund të prezantohet si rast korrupsioni.
Sidoqoftë, Kurti të martën zuri vend në disa media botërore për refuzimin e tij për t’iu përgjigjur urdhrit të gjykatës për dëshmi në prokurori.