Vizita e Joe Biden në Bosnjën e rrethuar në vitin 1994 si senator i SHBA-së, dhe tmerri i shfaqur prej tij nga aktet mizore të kryera nga autoritetet serbe ndaj boshnjakëve të paarmatosur, e bënë atë zyrtarin më popullor në mesin e boshnjakëve se sa ata që orkestruan Marrëveshjen e paqes të Dejtonit.
Biden u shfaq si një lojtar kyç, dhe u admirua nga boshnjakët dhe kosovarët për angazhimin e tij në adresimin e sfidave komplekse politike dhe humanitare në rajonin e Ballkanit, sidomos në Bosnje.
Disa sfida të mëdha që ai i zgjidhi, përfshinin dhënien fund të dhunës etnike dhe gjenocidit, dhe bindjen e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërhyrë në konflikt për të sjellë sa më shpejt paqen.
Ai u bë i njohur si një nga politikanët e paktë amerikanë, që kuptonte mirë dinamikat e politikës ballkanike, jo vetëm për mbështetjen e tij për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe nëpërmjet vizitave të tij të shpeshta në rajon, si senator dhe më vonë si zëvendëspresident.
Përpjekjet e tij për stabilizimin dhe demokratizimin afatgjatë të vendeve të këtij rajoni, i rritën pritshmëritë e ballkanasve se ai do të ishte shumë aktiv në Ballkan edhe si president. Por gjatë 3 dekadave të fundit, kanë ndodhur transformime të mëdha, duke sjellë në plan të parë prioritete të reja të brendshme dhe të jashtme.
Biden është kritikuar në Ballkan, për atë që perceptohet si neglizhencë dhe heshtje gjatë presidencës së tij me vetëm një mandat. Ky ndryshim i papritur nga qëndrimi i tij i mëparshëm, kur ai e ekritikonte fort dështimin e Perëndimit për të mbrojtur myslimanët e pafajshëm në Bosnje, konsiderohet si një tradhti e besimit të shumë njerëzve.
Në vend se të ruante lidhjet e ngushta me Bosnjën, administrata e Biden qëndroi e distancuar, duke sinjalizuar një ndryshim befasues në politikën e jashtme të SHBA-së përkundrejt rajonit të Ballkanit.
Tridhjetë vjet më parë, kritika e Biden për mos heqjen e embargos së armëve të vendosur nga OKB-ja, e cila kufizoi ndjeshëm aftësinë e Bosnjës për t’u mbrojtur, solli disa politika serioze në dobi të boshnjakëve të rrethuar.
Ai përfshiu Aktin e Vetëmbrojtjes së Bosnjës dhe Hercegovinës të vitit 1995, i cili mbrojti të drejtën e Bosnjës për të mbrojtur veten, si dhe një rezolutë për të përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës. Këto nisma nënvizuan dy aspekte kritike.
Së pari, qasjen realiste të Biden drejt adresimit të çështjeve të ndjeshme ndërkombëtare, dhe së dyti, mbështetjen e tij të palëkundur për sovranitetin dhe sigurinë e një vendi ballkanik që sapo kishte fituar pavarësinë.
Ndërkohë distancimi nga angazhimet e mëparshme të SHBA-së për të mbrojtur të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë, ka ngritur tashmë pikëpyetje serioze. Ndonëse SHBA-ja ka investuar ushtarakisht, politikisht dhe financiarisht në rajon, ky i fundit kërkon ende vëmendje për shkak të lëvizjeve ultra-nacionaliste dhe separatiste që po përhapen në të gjithë vendet.
Por nuk është aspak befasi, që pavarësisht emërimit të një përfaqësuesi të lartë të posaçëm për të parashikuar Marrëveshjen e Dejtonit të autorizuar nga SHBA, rajoni i Ballkanit vazhdon të jetë i prekur nga shqetësime të mëdha politike dhe të sigurisë, si tensionet etnike, korrupsioni, hapa prapa në raport me demokracinë dhe rritja e ndikimit të jashtëm nga Kina, Rusia dhe përfaqësuesit e tyre.
Në fakt, rajoni perceptohet gjerësisht si vatra tjetër gjeopolitike në Evropë, ku ekziston mundësia e shpërthimit të luftës. Paaftësia e Perëndimit për ta parë Ballkanin Perëndimor me një sy më të gjerë përtej ndihmës, misionit humanitar dhe promovimit të demokracisë, ka çuditur shumë analistë.
Ana negative e kësaj qasjeje dritëshkurtër, është se ajo mund ta shtyjë rajonin përsëri në një konflikt të ripërtërirë apo edhe një luftë brutale. Në kushte të tilla, nacionalizmi ekstrem dhe populizmi i krahut të djathtë po shfaqen si konkurrentë të demokracisë, duke i vështirësuar përpjekjet e SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë për t’u përballur me Rusinë, Kinën dhe fuqitë e tjera të mesme, që po tentojnë të depërtojnë edhe më shumë në rajon.
Këto fuqi të mesme, kanë krijuar tashmë aleanca afatgjata me etno-nacionalistët serbë, duke e projektuar veten si partnerë të besueshëm. Vendet evropiane, kanë treguar pak gatishmëri për të ndërhyrë në mënyrë aktive në rajonin e paqëndrueshëm por strategjikisht shumë të rëndësishëm.
Rikthimi i Donald Trump si president i SHBA-së, mund ta ndërlikojë më tej situatën. Nëse aleanca euro-amerikane dobësohet nën administratën Trump, Ballkani mund të përballet me një paqëndrueshmëri edhe më të madhe. “The Telegraph”