Thursday, October 17, 2024
spot_img

Reagon Liri Loshi: Udbashin Januz Loshi e kam kushëri, ndërsa Gani Kocin mik, kjo është e vërteta mes tyre

Ish mjeku i UҪK-së, Liri Loshi përmes një postimi në facebook ka reaguar pas rrëfimit të Gani Kocit për maltretimet që i ishin bërë nga hetuesit shqiptarë.

Njëri ndër ta ishte edhe kushëriri i tij, Januz Loshi, për të cilin thotë se ka punuar një kohë relativisht të gjatë si pjestar i sigurimit shtetëror të atëhershëm.

Loshi shkruan tutje se me Ganiun ka biseduar gjerë e gjatë, por asnjëherë nuk i ka thënë asgjë për kushëririn e tij.

Sipas tij, krejtë kësaj po i vie era kalkulim politik.

Lexoni mëposhtë rrëfimin e plotë të Liri Loshit:

E dëgjova rrëfimin e Gani Kocit në TV Dukagjini për maltretimet që i janë bërë nga hetuesit shqiptarë. Ndër ta paska qenë edhe një kusheri imi, Januz Loshi, i cili ka punuar një kohë relativisht të gjatë si pjestar i sigurimit shtetëror të atëhershëm, apo si udbash nëse doni ta quani ndryshe.

Unë e kam kushëri Januzin, por mik e kam pasur Gani Kocin. Unë kam bashkëpunuar me vite me Gani Kocin pasi ai ka dalë nga burgu dhe as edhe një sekondë me Januz Loshin. Unë i kam përkrahur të burgosuit politikë të Skenderajt, pra ata që pastaj u përfshinë në aktivitet politik kur dolën nga burgu, madje deri në atë masë sa jam konfliktuar me aktivistët e krahut tjetër.

Me Ganiun kemi biseduar për Shkup e për Shkodër siç thuhet, por asnjëherë nuk më ka thënë gjë për Januzin. Kam përshtypjen se Ganiu është kujdesur që shumë gjera t’i mbajë sekret duke u frikësuar se ato do t’i prishnin punë. Tani, ranë disa veprimtarë anonimë që treguan emrat e dhunuesve të tyre dhe ia çelën gojën Gani Kocit, në vend se Gani Koci të kishte prirë në këtë drejtim.

Pra, krejt kësaj i vie era kalkulim politik. PDK-ja e Gani Kocit ka futur në gjiun e vet udbashë e bijë udbashësh, të cilët në një formë a tjetër kanë qenë eprorë të Gani Kocit edhe në aktivitetet e tij politike pas çlirimit. A doli njeriu e tha se babai i Hajredin Kuqit i kishte thyer gjysmën e dhembëve? A nuk ishte Hajredin Kuqi njeriu i dytë në parti dhe në ekzekitiv, fill pas Thaçit. Pra, në vijen politike dhe ekzekutive ishte epror i Gani Kocit. Pse Koci nuk doli asnjëherë kundër këtyre emrimeve nga partia e tij, ku ai kishte funksione të larta politike.

Dikush mund ta marrë këtë si mbrojtje për Januz Loshin nga ana ime. Jo. Në asnjë mënyrë nuk i arsyetoj veprimet e tij dhe ndjej keqardhje të thellë për vuajtjet që ka pësuar Gani Koci. Madje, për herë të parë u ndjeva i turpëruar nga mbiemri im. Gjatë krejt historisë familja e madhe Loshi kanë dhënë burra dhe gra që i kanë shërbyer kombit me mendje e me trup. Kamer Loshi u dogj në kasollën e tij në luftë me armikun serb. Ajkuna Loshi preu me thikë  sulmuesin serb kur ai tentoi ta dhunonte atë seksualisht. Sadik Loshi (axha im) ishte epror në krahun e Shaban Polluzhës. Edhe babai i Januzit shquhej për veprimtari patriotike në rininë e tij. Daut Loshi, Murat Loshi, Mujë Loshi u shquan për karaktër të lartë burrëror, por edhe për mençuri e humanizëm. Nga familja e madhe Loshi kanë dalë me dhjetra e qindra profsionistë, biznesmenë dhe intelektualë që i kanë shërbyer me nder kombit. Sinqerisht, nuk ka krenari më të madhe se ta shohësh veten si pasardhës i të gjithë atyre njerëzve që kanë bërë aq shumë për komunitetin e tyre dhe për kombin në përgjithësi. Por ja që vjen një moment i lig dhe shfaqet një tabllo e realitetit ku ti e ndien veten më ndryshe sesa e ke ndjerë më parë. Dhe ti nuk mund të bësh asgjë për t’i ndërruar gjerat në favor tëndin.

Është edhe një problem me Gani Kocin. Për herë të parë, mbrëmë mori guxim, apo provoi t’i thoshte publikut se ai ishte organizatori i demostratave të studentëve të vitit 1981. Tani, ne i besojmë vuajtjet e Gani Kocit ne hetuesitë dhe burgjet jugosllave. Pra, i besojmë edhe fyerjet e ulëta që ka marrë nga kushëriri im Januz Loshi, i cili ishte pjesë e atij sistemi. Ajo që unë e kam vështirë të besoj është se Gani Koci dhe shokët e tij që që ai i përmendi ishin organizatorët autentikë të protestave rinore të vitit 1981. Azem Vllasi ka qenë kryetar Komiteti i LKJ-së për Kosovë dhe nuk ka asnjë person më të informuar se ai për kohën kur janë organizuar ato protesta. Ai ka thënë me bindje se ato i ka organizuar UDB-a. Në anën tjetër, ende nuk ka dalë dikush që të flasë me fakte kundër pohimeve të Azem Vllasit. Pse nuk bëhet një përballje mes Azem Vllasit dhe të burgosurve politikë që u cilësuan si prijës të atyre ngjarjeve?

Njëri nga emrat që përmendi mbrëme Gani Koci ishte edhe Bedri Deliu, i cili ka hëngër 9 vite burg si bashkëorganizator me Kocin dhe të tjerët. Bedriu, pas daljes nga burgu më ka thënë sinqerisht se as sot nuk e di pse jam denuar! Ata që e njohin Bedriun e dinë se ai është një burrë i ndershëm që nuk e ka kompleksin e njeriut që me çdo kusht dëshiron të jetë pjesë e historisë.

Përseri po them se vuajtjet e njerëzve tanë duhet të respektohen, sepse në saje të atyre vuajtjeve jemi frymëzuar për liri dhe madje në saje të vuajtjeve edhe bota demokratike na ka ndihmuar për ta fituar lirinë. Por, liderët e zhvillimeve të mëdha nuk flasin për vuajtjet, sepse vuajtjet nuk e bëjnë historinë. Historinë e bëjnë veprat dhe nëse ato vepra janë bërë duhet të shpjegohen deri në fund. Gani Koci dhe të tjerët, nëse ishin organizatorët e 81-shit duhet t’i bëjnë publike platformat dhe programet politike. Deri sot s’kemi parë asgjë të tillë dhe jemi të hamendur mes rrëfimit të Azem Vllasit dhe atyre që me vitet e burgut dhe vuajtjet që kanë pësuar na imponohen si protagonistë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit