Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas deklaratës së gazetarit serb, Branislav Kërstiq, i cili në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun të hënën, tha se gruaja e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit është duke jetuar dhe punuar në Beograd.
Këto deklarata, zëdhënësi i Qeverisë i ka quajtur të pavërteta, duke thënë se bashkëshortja e Kurtit është e punësuar vetëm në NUPI dhe jeton midis Oslos dhe Prishtinës.
Megjithatë, Kërstiq këtë të martë në “Politiko” është arsyetuar se deklarata e tij është keqpëdorur dhe është nxjerrë nga konteksti.
“Është e kuptueshme që është keqpëdorur deklarata ime e cila është nxjerrë nga konteksti. Por ne sot mësuam një send tjetër, që gruaja e Kurtit po jeton në Norvegji”, ka thënë Kërstiq.
Për më tepër, Kërstiq ka theksuar se problemi me gjuhën ka shkaktuar një situate të tillë.
“Nuk jam duke përdorur gjuhën amtare dhe nuk dal në deklarata publike për të ofenduar asnjë komunitet. Mua më duket një zonjë e nderuar, bashkëshortja e kryeminstrit”, ka thënë ai