Kandidatja e propozuar për kryetare e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, është deklaruar pas dështimit të seancës konstituive.
Haxhiu ka thënë se ka mungesë të vullnetit të opozitës për konstituimin e Kuvendit.
“Ende mungon vullneti i opozitës për të dhënë kontributin e tyre që të konstituohet Kuvendi. Ata nuk po marrin pjesë në votim edhe pse gjykimi i Gjykatës Kushtetuese thekson se të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Për mua është e paqartë pozicioni i tyre që fare s’marrin pjesë në komisionin që të vazhdojmë me votimin e fshehtë”, deklaroi ndër të tjera ajo.