Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka miratuar pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për pranimin në prova materiale të disa dokumenteve që lidhen me Zonën Operative të Nerodimes.
Sipas vendimit të marrë më 4 prill 2025, Prokuroria kishte paraqitur kërkesën më 21 tetor 2024, duke pretenduar se këto dokumente janë autentike, të rëndësishme dhe me vlerë provuese për hetimin.
Megjithatë, mbrojtja e të akuzuarve e ka kundërshtuar këtë praktikë, duke argumentuar se Prokuroria po paraqet mijëra prova të cilat kanë prejardhje të pasigurt dhe besueshmëri të dyshimtë.
Mbrojtja ka theksuar se shumë nga provat e propozuara nuk kanë lidhje të dukshme me akuzat dhe se Prokuroria po përdor këtë metodë për të shmangur verifikimin e drejtë të provave përmes dëshmitarëve.
Për më tepër, mbrojtja ka theksuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka dëshmuar autenticitetin dhe besueshmërinë e këtyre provave, duke paralajmëruar se pranimi i tyre mund të shkaktonte paragjykim ndaj të akuzuarve.