Ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka deklaruar se ura e Ibrit nuk do të hapet as kësaj here. Ramadani përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se pas konfrontimit deklarativ me NATO-n, ura mbetet dështim.
“Fatkeqësisht, Ura nuk hapet kësaj here dhe ekzaltimit deklarativ duhet t’i vjen fundi. Ministrat e deputetët mos të rrinë “nën Urë”! Të kthehen e të punonjë ndonjë gjë në këta muaj të mbetur! Kur ata kapin ‘pajisjet’ për ta inspektuar Urën, bash në atë moment – për secilin që kupton gjë – u qartësua që komunikimi strategjik me NATO-n ka rënë në pikën më të ulët. Prandaj, s’ka gjë as kësaj here”, ka shkruar Ramadani.
Tutje ai ka thënë se nuk ka askush guxim që të hap urën me zor.
“Përkatësisht, më shumë dëmtuan Kosovën. As hapje ure, as përafrim me NATO. Përkundrazi. Acarim të raporteve me NATO-n pa arritur as të tentohet hapja e urës. Në vend se si njerëz me përgjegjësi shteti të udhëtonin për në Selinë e NATO-s e në kryeqendrat perëndimore, këta “udhëtuan” nën urë për të mbetur simbolikisht “ministra nën urë”! Nuk ka askush guxim që të hap urën me zor”, ka theksuar ai.
Më tej, ai ka pohuar se duhet të ndalet konfrontimi deklarativ me NATO-n.