Ministria e Punëve të Brendshme ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdare, ka mësuar KOHA nga burimet e saj.
Kosova ka ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë, vitin e shkuar.
Masa e sigurisë më pas u ndryshua duke u lejuar importimi i lëndës së parë dhe gjysmë produkteve të nevojshme për prodhim final.
Më vendimin e ri, i cili u është përcjellë të hënën institucioneve përkatëse nga ministri i Punëve të Bredshme, Xhelal Svecla, ndalimi i importimit të këtyre produkteve do të zëvendësohet me “kontroll të detajuar” për maunet që hyjnë nga Serbia.
Ndryshimi i masës së sigurisë vlen vetëm për pikën kufitare në Merdar derisa ajo mbetet në fuqi në pikë kalimet kufitare të tjera me Serbinë.
Gjermania ka kërcënuar Kosovë me mospjesëmarrje në samitin që mbahet më 14 tetor, nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia. Sipas emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kjo ndalesë bllokon edhe punën e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.