Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, të cilin projektligj kryeministri Albin Kurti e cilësoi si të rëndësishëm, duke theksuar se shëndetësia po ndryshohet rrënjësisht.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti vlerësoi se ky projektligj synon të garantojë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës.
“Synimi ynë është që të investojmë në shërbime shëndetësore dhe të garantojmë sigurim publik shëndetësor për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe të jetësohet një gjë e tillë me miratimin e projektligjit për sigurimin shëndetësor. Njerëzit në nevojë do të kenë mbrojtje më të mirë sociale, që ndihmon për të zvogëluar si varfërinë, ashtu edhe pabarazinë” – tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e sqaroi rëndësinë e këtij projektligji, ndërsa i gjithë kabineti e votoi këtë projektligj.