Shkruan Nehat Shaqiri
LDK-ja humbi, sepse kreu i saj afroi pranë vetes “parashutistët” e rinj dhe largoi njerëzit që ishin aty me dekada. Po ashtu, edhe afrimi i tyre me disa persona publikë, të cilët sa herë që kritikojnë dikë ata fitojnë, ose sa herë që mbrojnë një personalitet apo parti politike, ajo humb!
PDK-ja e ka elektoratin e saj pothuajse gjithmonë të njëjtë. Dy komunat, Skenderaj dhe Drenasi, nuk e lëshojnë kurrë. Në komunat e tjera mund të ketë kandidatë të mirë për kryetar komune, por për votën e qeverisjes së shtetit ka pak mbështetje.
AAK-ja dhe Nisma po ashtu i kanë disa komuna të tyre, por shtrirja në komunat e tjera është shumë problematike, sidomos në këtë kohë. Një pjesë e madhe e votuesve janë me Lëvizjen Vetëvendosje, veçanërisht mërgata, e cila ndikon edhe në votën e familjarëve të tyre në Kosovë, pro LVV-së.
LVV-ja, e cila kishte kërkuar 500 mijë vota, është ditur që do të ketë problem në arritjen e këtij numri votuesish. Prandaj, thirrja e tyre nuk ishte vetëm për të dalë të parët në zgjedhje – kjo ishte e sigurt – por për të arritur 500 mijë vota me qëllim sigurimin e shumicës në Kuvendin e Kosovës. Pse nuk e arritën këtë numër? Ka shumë faktorë. Një prej tyre është largimi i një pjese të elektoratit të LDK-së, që mbështeti Vjosa Osmanin në zgjedhjet e kaluara, si dhe bisedat e Mimoza Kusarit me kryekriminelin Milan Radoiçiq, por jo vetëm!
Pas këtyre rezultateve, si do të krijohet qeveria?
Kreu i LVV-së, kryeministri aktual, Albin Kurti, do ta formojë qeverinë dhe këtu s’ka dyshim. Por si? Ka disa opsione në tavolinë. Një mundësi është “peshkimi” i deputetëve të rinj nga partitë e tjera që arrijnë të hyjnë në Kuvend. Një tjetër opsion është AAK-ja, e cila ka shumë nevojë për pushtet – përndryshe, në zgjedhjet e ardhshme mund të mos e kalojë pragun.
Pra, nëse AAK-ja hyn në qeveri, ajo e konsolidon elektoratin e saj, disa njerëz i vendos në poste të ndryshme në ministritë që i takojnë dhe krijon mundësi shtrirjeje në terren për zgjedhjet e ardhshme.
Votat e LVV-së, AAK-së dhe pakicave të tjera në Kuvend do të krijojnë një qeveri solide – jo me shumicë të madhe, por që mund të jetë e suksesshme, duke pasur parasysh qëndrimet e Ramush Haradinajt ndaj Serbisë. Duhet shtuar këtu edhe se, kur ishte kryeministër, ai e lëshoi postin për të mos i lejuar disa politikanë të arrinin qëllimet e tyre për ndarjen e Kosovës.
Prandaj, Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj do të jenë më të fuqishëm përballë Serbisë dhe veglave të saj në Kosovë!
E dimë që qeveria e re do të ketë edhe një sfidë tjetër – atë të presidentit. Megjithatë, kur të vijë koha, besoj se do të ketë emra “befasues” për këtë post dhe nuk e shoh këtë si problematike, ashtu siç po përflitet në studiot televizive.
Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë…