Vladimir Putin e refuzoi ftesën e Volodymyr Zelenskyt për t’u takuar në Stamboll për negociata të drejtpërdrejta midis tyre. Propozimi nuk ishte thjesht një gjest afrimi, por një sfidë strategjike, gati si një ultimatum simbolik. Zelensky e dinte se Putin vështirë se do ta kishte pranuar takimin me të.
Prandaj synonte ta demaskonte dhe në thelb të neutralizonte propozimet e Kremlinit. Për Putinin, ulja në një tryezë me Zelensky-n do të kishte nënkuptuar njohjen e legjitimitetit të tij si udhëheqës i Ukrainës, rrëzim i viteve të tëra propagandë dhe përgënjeshtrim i vetes.
Nga ana e saj Moska, vazhdon të përdorë modelin e negociatave të Stambollit në vitin 2022, Ato nisëm pa një armëpushim, operacionet ushtarake vazhdonin me intensitet, dhe kishin si qëllim imponimin e një marrëveshjeje ndëshkuese ndaj Kievit.
Ky format po rikthehet, i veshur me retorikën e negociatave, por i nxitur nga pas nga të njëjtat qëllime: të paralizojë dhe gjymtojë Ukrainën, të përçajë Perëndimin dhe fitojë kohë.
Në fakt, koha është arma kryesore e Moskës. Putin nuk do që të arrihet një armëpushim përpara se të ketë përfituar rezultate konkrete nga bisedimet. Ai është i vetëdijshëm se ndalimi i luftimeve do ta bënte politikisht dhe ushtarakisht të vështirë rifillimin e tyre.
Një armëpushim do ta dobësonte strategjinë ruse, duke i hequr asaj “pistoletën” e që e mban me vete në tryezën e negociatave. Për Moskën, negociatat për një armëpushim zyrtar janë tërësisht legjitime. Sipas Kremlinit, lufta është një instrument i përhershëm presioni, që nuk e pengon, përkundrazi mbështet dhe shoqëron negociatat.
Mungesa e një armëpushimi e lejon gjithashtu Moskën që të zgjasë bisedimet për një kohë të papërcaktuar, duke treguar një gatishmëri të dukshme ndërsa lufta vazhdon. Aktualisht negociatat janë pjesë e konfliktit, dhe jo një alternativë për të. Zelensky e di këtë.
Është i vetëdijshëm se arbitri vendimtar ndodhet në Uashington. Si ai, ashtu edhe Putin duan t’i tregojnë Trumpit se përgjegjësia për luftën është e tjetrit. Propozimet e reja, akuzat e ndërsjellta dhe manovrat taktike, synojnë Shtëpinë e Bardhë, qendra e vërtetë e kësaj loje. Tani Trump e ka kuptuar se ndan me Evropën interesin e përbashkët për një armëpushim të shpejtë dhe një paqe të qëndrueshme. Po ashtu, ai e di se Moska synon të zvarrisë procesin, ndaj në SHBA po rritet padurimi. Megjithatë mbetet i paqartë se çfarë ka ndër mend të bëjë: nga njëra anë, promovon marrëveshjen mbi mineralet jetike me Kievin – një shenjë e angazhimit strategjik – nga ana tjetër lavdëron gatishmërinë e Moskës për marrëveshje.
Ai nuk ka vendosur ende nëse do të ndahet me Putinin, apo do kërkojë një marrëveshje të re globale me të. Fakti është se e ka me nxitim: dëshiron të jetë në gjendje të shpallë sa më shpejt përfundimin e misionit, ta reklamojë armëpushimin si trofe dhe ta ripozicionojë strategjinë kryesore amerikane në Paqësor.
Për Moskën, Stambolli është një zgjedhje gjeopolitike që synon të përjashtojë Evropën, rinisur negociatat pa ofruar armëpushim, dhe rifilluar ato nga një platformë ndëshkuese për Kievin, për të rikthyer në qendër boshtin SHBA-Rusi. Por pikërisht kjo është arsyeja pse prania e Putinit dukej e pamundur.
Çdo lëvizje e tij ka dy objektiva: Uashingtonin dhe frontin e brendshëm, ku është ngushtuar hapësira për manovrim, dhe ku ndarjet midis elementëve më agresivë dhe më të kujdesshëm të sistemit rus, po bëhen gjithnjë e më të thella.
Putini do të shkojë në Stamboll vetëm nëse do të arrihen rezultate, të cilat mund të paraqiten si sukses: lëshimet territoriale të Ukrainës që përputhen të paktën me territoret tashmë të pushtuara, dhe mungesën e garancive të sigurisë për Kievin. Për këtë kërkohen kushte negocimi aspak të përshtatshme për kundërshtarin.
Nëse do t’i merrte ato, Putini do të kishte një justifikim. Përndryshe, është një alibi për të qëndruar larg tyre. Megjithatë, për Moskën problemi mbetet që të mos e distancojë aq shumë Uashingtonin dhe për të mbrojtur, nëse është e mundur, marrëdhënien e tij me Trumpin.
Ndërkohë, po shtohet presioni ndërkombëtar mbi Moskën. Presidenti brazilian Lula i bëri thirrje Putinit që të shkonte në Stamboll. Papa Leoni XIV tha se se “Selia e Shenjtë është në dispozicion që armiqtë takohen dhe shohin në sy njëri-tjetrin”; Bashkimi Evropian po miraton sanksione të reja kundër Rusisë.
E megjithatë, Moska s’ka ndërmend të sillet sikur ka kaluar në pozita mbrojtëse. Putin e falënderoi grupin e vendeve të BRICS për mbështetjen e një procesi paqeje “realist”, dhe përsëriti se nuk ishte i izoluar. Afrimi i mëtejshëm me Kinën, ftesa për të vizituar Teheranin dhe thirrjet për një rend ndërkombëtare me shumë pole, e forcojnë idenë e një fronti alternativ ndaj atij të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Është një mesazh për Trumpin: Moska ka shumë opsione në dispozicion, ndaj nuk do të lejojë që t’i imponohen kushte. Takimi në Stamboll, në të cilin nuk mori pjesë as Lavrov, u zhvillua pa protagonistët e saj të vërtetë – Putinin dhe Trump – duke ia lënë negociatat zyrtarëve rusë dhe ukrainas të nivelit të dytë.
Gjithsesi, domethënia e këtij takimi mbetet vendimtare. Sepse Zelensky e detyroi Moskën që të ekspozojë sjelljen e saj të shtirur. Po ashtu, ka nxjerrë në pah kufijtë e narrativës së Kremlinit, dhe e ka konsoliduar mbështetjen nga aleatët për Kievin.
Mbi të gjitha e vendos Trumpin para një zgjedhje midis mbështetjes për Kievin dhe joshjes së arritjes së një pakti me autokracinë ruse. Koha e sjelljeve të paqarta po mbaron. Stambolli është një gur prove, jo për të arritur paqen, por për të kuptuar se kush është vërtet i gatshëm ta kërkojë atë. “La Stampa”