Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se ai është “i hapur për diskutime” me presidentin e SHBA, Donald Trump, për të punuar së bashku për çështje të tilla si lufta në Ukrainë dhe çmimet e energjisë, duke thënë se do të ishte një ide e mirë që ata të takoheshin.
Por Putin i tha një gazetari televiziv rus se çështja e negociatave me Ukrainën është e ndërlikuar nga fakti se presidenti i saj Volodymyr Zelensky ka nënshkruar një dekret që e pengon atë të zhvillojë bisedime me kreun e Kremlinit.
Në fakt, ai vuri në dukje se aleatët e Zelenskit duhet ta detyrojnë atë të anulojë vendimin që ndalon negociatat.
“Zelensky nuk po nxiton të ndjekë udhëzimet e sponsorëve të tij – dhe ne e dimë se ka udhëzime të tilla – për të anuluar dekretin që ka nxjerrë dhe që i ndalon negociatat. Mendoj se në fund, ata që i paguajnë paratë duhet ta detyrojnë atë ta bëjë këtë”, tha Putin.
Putin e quajti Trumpin të zgjuar dhe pragmatik. Ai tha se nuk pret që presidenti amerikan të marrë vendime për sanksione përkundrejt Rusisë, që do të ndikojnë negativisht në ekonominë amerikane.
“Ai nuk është vetëm inteligjent, por edhe realist. Dhe vështirë se mund ta imagjinoj se ai do të marrë vendime që do të dëmtojnë vetë ekonominë amerikane”, tha presidenti rus.
Më tej, shefi i Kremlinit vazhdoi: “Prandaj, ndoshta, do të ishte më mirë që ne të takoheshim, bazuar në realitetet e sotme, të bisedonim me qetësi për të gjithë, për ato fusha me interes si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Rusinë. Ne jemi gati. Por, e përsëris, kjo varet në radhë të parë, natyrisht, nga vendimet dhe zgjedhjet e qeverisë aktuale amerikane”.
Presidenti rus tha gjithashtu se “kriza në Ukrainë” në vitin 2022, viti kur Kremlini nisi pushtimin, ndoshta mund të ishte shmangur nëse Donald Trump do të kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë.
“Unë mund të pajtohem vetëm me (Donald Trump) se nëse ai do të kishte qenë president, nëse nuk do t’i ishte grabitur fitorja në 2020, ndoshta nuk do të kishte pasuar kriza në Ukrainë që ndodhi në 2022”, i tha ai televizionit shtetëror duke përsëritur pretendimet se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 janë “vjedhur” nga Joe Biden.
“Çfarë është tipike për ekonominë ruse dhe atë amerikane? Ne jemi jo vetëm një nga prodhuesit më të mëdhenj të burimeve energjetike, por jemi edhe konsumatorët më të mëdhenj të burimeve energjetike. Dhe kjo do të thotë se si për ekonominë tonë ashtu edhe për atë amerikane, çmimet shumë të larta janë të këqija. Sepse ne duhet të prodhojmë brenda vendit, duke përdorur burimet energjetike, duhet të prodhojmë edhe mallra të tjera brenda vendit. Dhe çmimet shumë të ulëta janë gjithashtu shumë të këqija sepse minojnë mundësitë e investimeve për kompanitë e energjisë. Ka diçka që duhet të diskutojmë këtu…”, tha Putin gjithashtu për energjinë dhe kërkesën e Trump për të ulur çmimin e naftës.
Në lidhje me qëndrimin e administratës Biden për refuzimin e negociatave me Moskën, Putin tha: “Në të vërtetë, presidenti aktual i SHBA ka bërë shumë deklarata për këtë çështje. Së pari, dua të them se Rusia nuk ka refuzuar kurrë të ketë kontakte me SHBA dhe nuk kemi faj që qeveria e mëparshme refuzoi këto kontakte”.