Sunday, October 13, 2024
spot_img

Pushtimi i Rusisë, vendimi më i rrezikshëm i Zelenskyt: A do të çojë drejt armëpushimit apo në disfatën e Ukrainës?

Sulmi i ushtrisë ukrainase në rajonin rus Kursk javën e kaluar e befasoi Moskën. Të befasuar mbetën edhe mbështetësit perëndimorë të Kievit, madje edhe Uashingtoni. Kur nisi ditën e martë, ai u duk vetëm si një shfaqje tjetër e guximit të madh nga njëra prej milicive vendase anti-Putin.

Megjithatë, nga e enjtja u bë qartë se vetë Kievi po përpiqej të kryente një kundërsulm  strategjik brenda Rusisë. Dhe operacioni po drejtohet nga vetë presidentit Volodymyr Zelensky. Prej shumë muajsh, presidenti ushtroi presion ndaj shefave të ushtrisë për të nisur një ofensivë verore ndaj trupave ruse.

Por ata ngurruan, duke pasur parasysh problemet me burimet njerëzore dhe ato ushtarake. Megjithatë Zelensky synon me çdo kush që të ndryshojë narrativën, sipas së cilës Ukraina po e humb luftën e saj. Sukseset në Detin e Zi dhe ato kundër forcave ruse në Krime, nuk e tërheqin vëmendjen e botës, teksa ushtria e vendit të tij po sprapset ngadalë por pa u ndalur, duke lëshuar gjithnjë e më shumë territor në Ukrainën Lindore.

Ndaj Zelensky po përpiqet të gjejë një mënyrë për ta ndalur ose për ta kthyer në kahun e kundërt këtë dinamikë. Dhe kundërsulmi i fundit i përshtatet është shumë stilit të tij të udhëheqjes:i guximshëm dhe i rrezikshëm. I guximshëm, sepse Moska nuk ka parë asnjë metër të territorit të saj të pushtuar nga askush që nga viti 1941.

Imazhet që na vijnë këto ditë nga Kursku po e tronditin publikun rus, dhe ky efekt mund të jetë i vështirë për t’u menaxhuar nga Kremlini. Por kjo lëvizje mund të mërzisë me siguri disa udhëheqës perëndimorë, pasi pajisjet tokësore të NATO-s po përdoren tani brenda Rusisë, duke shënuar kalimin e një tjetër vije të kuqe.

Nëse udhëheqësit ukrainas do të kishin kërkuar paraprakisht lejen e perëndimorëve, nuk do ta kishin marrë atë, ndaj vazhduan me planin e tyre. Dhe ky është një plan i rrezikshëm, pasi tani Moska nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të bëjë gjithçka që duhet për ta ndalur dhe neutralizuar këtë inkursion.

Vetëm zbarkimi i forcave amerikane në vitin 1950 gjatë Luftës Koreane, mund të na japë një shembull të ngjashëm të një kundërgoditjeje, e cila ishte po aq e rrezikshme. Por ndërsa mësymja në Inchon ishte projektuar të shndërrohej në një ofensivë të gjerë – duke depërtuar pas linjave të armikut me shumë forca – sulmi në Kursk, mund të arrijë vetëm disa objektiva të kufizuara.

Përveç befasisë që shkaktoi në Moskë dhe pjesës tjetër të botës, krerët ukrainas do të shpresojnë që ky sulm të nxisë tërheqjen e forcave cilësore ruse nga frontet e tjera. Këtu përfshihet “pushtimi i dytë” të Rusisë kundër Ukrainës në Vovchansk, 90 milje në juglindje.

Por më e rëndësishmja, synohet tërheqja nga ofensiva e vazhdueshme e Donbass pranë qytetit shumë të rëndësishëm Chasiv Yar dhe në rrugën drejt Pokrovsk, ku ushtria ukrainase po has shumë vështirësi. Forcat ukrainase që gjenden në Kursk, mund të shpresojnë maksimumi ta zgjerojnë kontrollin e tyre deri në pushtimin e termocentralit bërthamor.

Kjo do të ishte një hakmarrje ndaj pushtimit të termocentralit bërthamor ukrainas në Zaporizhzhia nga Rusia në vitin 2022. Por të gjitha këto objektiva, do të varen nga se sa kohë dhe në çfarë mënyre ukrainasit do të rezistojnë brenda xhepit që kanë krijuar në Kurs. Shenjat e deritanishme janë se Kievi është serioz në operacionin e tij. Nuk kemi vetëm një bastisje modeste nga trupat e këmbësorisë, pra një depërtim tej kufirit, nëpër zonat e banuara dhe më pas tërheqje brenda 72 orëve.

Forcat që po veprojnë atje janë elementë të rëndësishëm të Brigadave 22 dhe 88 të mekanizuara të Ukrainës dhe Brigadës së 80-të të Sulmit Ajror, bashkë me njësi nga brigada të tjera. Këto forca me përvojë përbëhen ndoshta nga 6.000-10.000 trupa.

Operacionit të tyre i parapriu një sulm mbresëlënës përmes luftës elektronike, që e nxori jashtë loje mbrojtjen kufitare ruse. Pajisjet e përdorura në këtë sulm, përfshijnë mjetet e blinduara luftarake amerikane “Stryker” ato gjermane “Marder”. Kremini pretendon se janë përfshirë edhe tanket amerikane “M2 Bradleys”, që kanë spikatur shumë këtë vit në frontin e luftës.

Bie në sy edhe fakti që ukrainasit kanë hyrë në territorin rus me një numër të madh mjetesh inxhinierike, me pajisje për pastrimin e minave, raketahedhës të shumëfishtë HIMARS, me mortaja me rreze të gjatë, si dhe me njësi të mbrojtjes ajrore me bazë tokësore.

Me ç’duket ushtria ukrainase synon të qëndrojë dhe të luftojë në xhepin që ka krijuar, dhe që ende mund të përforcohet. Grupi verior i ushtrisë ruse përgjatë kufirit, arrin normalisht në rreth 50.000 trupa. Por shumica e tyre janë përqendruar drejt Belgorodit për të mbështetur ofensivën ruse në Vovchansk të Ukrainës, që tashmë ka ngecur në vend.

Ata kanë qenë të ngadaltë në rishpërndarjen drejt Kurskut, dhe thuhet se janë ndeshur me fushat e minuara të Ukrainës që ua kanë bllokuar përparimin. Deri të shtunën, luftimet në anën lindore të xhepit të krijuar ishin shumë të ashpra, dhe forcat ajrore ruse po fluturonin shumë ulët duke rrezikuar shumë, për të mbështetur rezistencën.

Duke përfituar ende nga befasia që shkaktuan, forcat ukrainase duket se i kanë fituar raundet fillestare të kësaj beteje. Por shtimi i trupave dhe vazhdimi i këtij inkursioni brenda territorit rus do të jetë i patolerueshëm  për presidentin Vladimir Putin. Kievi është dukshëm i përgatitur që të rrezikojë ushtarë dhe pajisje të vlefshme për të qëndruar sa më gjatë atje.

Kritikët e Zelensky-t, do të thonë se ky është një keqpërdorim i jetës së trupave dhe i armëve, për ta cilat Ukraina ka dëshpërimisht nevojë më në jug, në Donbas. Në dallim nga zbarkimi në Inchon të Koresë së Jugut, ky kundërsulm nuk mund ta ndryshojë dot fatin e luftës.

Suksesi i saj ushtarak, do të matet me koston që do të paguajë Moska për të rimarrë territorin e saj të pushtuar. Nëse lufta atje do të zgjasë dhe çmimi do të jetë i lartë, forcat ukrainase mund të kenë një përfitim jo-proporcional diku tjetër. Suksesi i saj politik, do të varet nga mënyra se si do të ndikojë ky sulm tek psikologjia e Moskës.

Pra nëse do të nxisë ndonjë dyshim të vërtetë brenda rrethit të Putinit, se a ia vlen të vazhdohet lufta teksa kostoja e saj po vjen gjithnjë në rritje. Reagimi fillestar i Kremlinit, është cilësimi i sulmit vetëm si një “provokim” apo një “sulm terrorist”. Por edhe për mediat ruse të kontrolluara nga shteti, kjo duket si një luftë e drejtpërdrejtë. 

Udhëheqësit politikë, shpeshherë pa përvojë ushtarake, duhet të marrin vendime të mëdha strategjike, ndërsa shefat e ushtrisë bëjnë çmos që ato të funksionojnë. Kur Zelensky, komediani i kthyer në politikan, u shfaq në një rrugë të Kievit vetëm disa orë pas pushtimit rus të vitit 2022, duke deklaruar se nuk do të arratisej, dhe Ukraina do të luftonte, ai mori vendimin më të madh strategjik të jetës së tij. Javës që kaloi, ai mori vendimin e dytë më të madh strategjik dhe ndoshta më të rrezikshmin.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit