Thursday, July 17, 2025
spot_img

Pse Trump nuk do t’ia dalë të ndajë Putinin nga Xi

Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-të e shkëputën Kinën nga Rusia, duke ushtruar presion mbi partnerin më të dobët. Por ajo strategji nuk do të funksionojë sot kundër Moskës.

Ekipi i presidentit Donald Trump, po ndjek një strategji të ngjashme me atë të ish-diplomatit të ndjerë Henry Kissinger, por këtë herë në drejtimin e kundërt. Duke marrë edhe postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio ka arritur kombinimin e frikshëm të titujve që mbante Kissinger në vitet 1970.

Por për fat të keq presidenti Donald Trump, do ta ketë më të vështirë të ketë sukses në shkëputjen e Rusisë me Kina, ashtu siç Kissinger arriti ta largojë Kinën nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1970. Përçarja e rivalëve, është një traditë strategjike gjithmonë e preferuar.

Por, siç e konfirmoi udhëtimi i udhëheqësit kinez Xi Jinping në Moskë këtë javë, marrëdhënia Kinë-Rusi nuk do të prishet së shpejti. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump e pa afrimin me Rusinë si një mënyrë për të izoluar Kinën. Disa ëndrra gjeopolitike vështirë se shuhen pavarësisht kalimit të kohës.

Pikëpamja, në disa segmente të administratës së dytë të Trump, është se Moska dhe Pekini janë detyruar të bëhen bashkë si pasojë e luftës në Ukrainë. Ndaj ata argumentojnë se përfundimi i asaj lufte dhe rregullimi i lidhjeve me presidentin rus Vladimir Putin, mund ta dobësojë aleancën Moskë-Pekin.

Madje mund të bëjë Moskën një partnere të Uashingtonit në frenimin e Pekinit. Aspirata është e admirueshme. Marrëveshja e fshehtë midis dy gjigantëve euroaziatikë, është një realitet bashkëkohor i frikshëm. Dhe nga një ndarje midis tyre do të përfitonte vetëm SHBA-ja. Trump nuk është i vetmi president i kohëve të fundit që e mendon për diçka të tillë: Joe Biden nuk e pa kurrë Putinin si një aleat të mundshëm, por shpresonte se një marrëdhënie “e qëndrueshme dhe e parashikueshme” me Rusinë, do ta përqendronte energjinë e SHBA-së ndaj Pekinit.

Nuk funksionoi, sepse Putin ishte më pak i interesuar për stabilitetin sesa për ta gllabëruar Ukrainën. Dhe me pjesëmarrjen e tij në festimin vjetor shumë të militarizuar të Rusisë për fitoren e saj në Luftën e Dytë Botërore, Xi tregoi se politika “përça dhe sundo” do të dështojë sërish.

Sigurisht, vizita e Xi-së nuk mund të fshehë disa tensione midis 2 vendeve. Me historinë e tyre të gjatë të pretendimeve territoriale ndaj njëra-tjetrës, Kina dhe Rusia janë rivale të natyrshme. Lufta në Ukrainë, i ka shtyrë dy fuqitë autokratike drejt një afrimi strategjik, që megjithatë është i sikletshëm për të dyja palët.

Jo çdo ultranacionalist rus, është i kënaqur me varësinë gjithnjë e më të thellë të Moskës nga një Kinë ambicioze dhe ekspansioniste. Dhe me sa duket as Xi, nuk është i kënaqur që lufta në Ukrainë krijoi një përçarje midis Kinës dhe Evropës, duke e bërë të vështirë për Pekinin që të shfrytëzojë sjelljet përçarëse të Trumpit për t’u paraqitur si një fuqi globale e përgjegjshme.

Megjithatë, tensionet Kinë-Rusi janë ende shumë më të ulëta nga sa ishin në kohën e Kissinger. Vetë ideja e një strategjie kisingeriane por në drejtimin e kundërt është mashtruese, sepse me udhëtimin e tij të papritur në Kinë në vitin 1971, Kissinger shfrytëzoi në maksimum një ndarje që kishte ndodhur tashmë.

Në vitin 1969, dy fqinjët zhvilluan një konflikt të përgjakshëm kufitar midis tyre, kur Bashkimi Sovjetik shqyrtoi edhe mundësinë e goditjes së objekteve bërthamore të Kinës. Kryetari i Partisë Komuniste Kineze, Mao Ce Dun, ishte madje i gatshëm të përdorte “barbarët e largët” (SHBA-në) për t’iu kundërvënë “barbarëve të afërt” në kufijtë e vendit të tij.

Megjithatë, sot për sot uniteti strategjik i shteteve kryesore revizioniste të botës është shumë i fortë. Moska dhe Pekini po përpiqen që të krijojnë një rend ndërkombëtar rrënjësisht të ndryshëm. Një rend, në të cilin fuqia amerikane është e dëmtuar, aleancat amerikane janë të prishura dhe ku mbretëron autokracia pasi është shkatërruar dominimi global i demokracisë.

Për më tepër, që të dyja këto fuqi e dinë se nuk mund ta mposhtin SHBA-në nëse përpiqen njëkohësisht të mposhtin njëra-tjetrën. Kina dhe Rusia, thotë Xi, duhet të luftojnë “krah për krah njëra-tjetrës” kundër armiqve të tyre të përbashkët.

Ndërkohë Putin, mund ta vlerësojë një zbutje të armiqësisë me SHBA-në, megjithatë ai nuk do ta shkëmbejë aleancën jetike të Rusisë, me një marrëveshje të brishtë me një Amerikë që nën Trump po tregon shumë paqëndrueshmëri. Në fakt, një lehtësim i presionit kundër Rusisë mund të jetë kundër-produktiv.

Një nga arsyet pse Pekini nuk ka ecur drejt një bashkëpunimi edhe më të thellë në fushën e teknologjisë mbrojtëse me Rusinë, është shqetësimi se mos kompanitë e saj do të bien në grackën e sanksioneve perëndimore. Nëse zbehet kjo frikë, lidhjet me Rusinë mund të lulëzojnë edhe në këtë sektor.

Më konkretisht, një lehtësim i presionit të SHBA-së mund ta bindë Xi-në dhe Putinin se partneriteti i tyre po funksionon, ndërsa po e dëmton aleancën transatlantike që Uashingtonit i duhet për të mbajtur nën kontroll të dy armiqtë e tij.

Rrugë e sfidimit të marrëdhënieve kinezo-ruse është e gjatë dhe e vështirë, por ajo është më shumë si “e kundërta e skemës së Dulles” sesa si e kundërta e strategjisë së Henry Kissinger.

Gjatë viteve 1950, Sekretari i Shtetit John Foster Dulles, deklaroi se çelësi për të prishur aleancën Kinë-Bashkimi Sovjetik, ishte të ushtrohej një presion i pamëshirshëm mbi palën më të dobët, në mënyrë që të bëheshin kërkesa të kushtueshme dhe të patolerueshme ndaj palës më të fortë.

Sa më shumë të afroheshin dy autokracitë agresive, aq më të mjerueshme do ta bënin njëra-tjetrën. U deshën rreth 15 vjet që përçarja kino-sovjetike të vërtetonte se Dulles kishte të drejtë. Sot çelësi është të maksimizohen kostot që Kina dhe Rusia duhet të paguajnë për marrëdhënien e tyre.

Kjo nënkupton sanksionimin e Pekinit për lidhjet e tij me Moskën, dhe detyrimin e Rusinë për të krijuar një varësi poshtëruese dhe të pasigurt nga Kina. Veprimi në këtë mënyrë nuk do të sjellë ndonjë mrekulli brenda natës. Por mund të zgjerojë në mënyrë të fshehtë përçarjet kinezo-ruse, duke krijuar mundësinë e një ndarjeje që do të krijonte një mundësi më të madhe për SHBA-në.

Kur mund të ndodhë kjo? Ndoshta pasi Putini dhe Xi, me vëllazërinë e tyre strategjike, të largohen nga skena. Megjithatë, deri atëherë, strategjia kisingeriane por në drejtimin e kundërt, do të mbetet një rrugë e shkurtër iluzore, dhe një shmangie e sfidës historike që krijon lidhja midis dy gjigantëve armiqësorë.

Xi dhe Putin shkojnë mirë, sepse që të dy janë në luftë me rendin botëror të SHBA-së. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë do të jetë.

*Shënim: Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit