Ndryshe nga sa shtiret, Rusia nuk është e interesuar që t’i japë fund luftës në Ukrainë. Kjo për shkak të kërcënimeve sociale dhe ekonomike. Më herët, kemi thënë se dështimi i negociatave në Uashington ndërmjet SHBA-së dhe Ukrainës, mund të kishte ndodhur sepse rusët nuk ishin gati të nënshkruanin një marrëveshje paqeje.
Ne jemi të bindur se udhëheqja e Kremlinit, e cila në përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të saj është bërë gjithnjë e më e ngjashme me Byronë Politike të Bashkimit Sovjetik në vitet e tij të fundit, ka frikë se përfundimi i luftës me Ukrainën, mund të çojë në pasoja të ngjashme me ato pas përfundimit të luftës në Afganistan në vitin 1989.
Kthimi i veteranëve sovjetikë nga lufta afgane (1979-1989), pati pasoja të rëndësishme sociale në Bashkimin Sovjetik, dhe më vonë në shtetet post-sovjetike:
- Rritje e kriminalitetit: Duke e pasur të vështirë ri-integrimin në jetën civile, shumë veteranë lufte u përfshinë në aktivitete kriminale. Përvoja e tyre luftarake i bëri ata rekrutë të vlefshëm për grupet e krimit të organizuar në zhvillim në vitet 1990. Kështu, ata ndikuan në një shtim të dhunës dhe krimit në shoqëritë post-sovjetike.
- Tjetërsimi social: Veteranët afganë të luftës (të njohur si “afganci”), ndiheshin shpesh të neglizhuar dhe të keqkuptuar nga shoqëria dhe qeveria. Ata u përballën me vështirësi në gjetjen e punës, dhe nuk kishin mbështetje të mjaftueshme për problemet e tyre të shëndetin mendor, duke çuar në probleme të gjera të izolimit dhe krizave të shëndetit mendor.
- Të pastrehë dhe të varfër: Vështirësitë ekonomike dhe mbështetja e pamjaftueshme nga shteti, çuan në varfërimin e shumë veteranëve. Disa u bënë të pastrehë, ndërsa të tjerët u përballën me abuzimin me drogën dhe alkoolin.
- Kriza e shëndetit mendor: Shumë veteranë, nisën të vuanin nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD), një gjendje që në atë kohë nuk njihej apo trajtohej gjerësisht në Bashkimin Sovjetik. Kjo solli një shkallë të lartë të depresionit, vetëvrasjeve dhe abuzimit me substancat.
- Aktivizmi politik: Pakënaqësia e madhe midis veteranëve, ndihmoi në nxitjen e lëvizjeve politike. Shumë prej tyre u bënë kritikë të zëshëm të qeverisë, duke marrë pjesë në protesta dhe duke mbështetur grupet nacionaliste dhe opozitare, duke kontribuar në paqëndrueshmërinë sociale dhe politike të viteve 1990.
- Ndikimi në familje: Barra psikologjike e luftës preku edhe familjet e veteranëve, duke çuar në dhunë në familje, ndarje dhe trauma që vazhdojnë për disa breza.
Trashëgimia e luftës afgane, krijoi një brez veteranësh të zhgënjyer dhe të lënë pas dore. Ky është një skenar që Kremlini ka frikë se mund të përsëritet me veteranët e luftës në Ukrainë. Që nga viti 2023, Rusia ka përjetuar një rritje të fortë të krimeve të dhunshme midis individëve që u kthyen pas pjesëmarrjes në operacionet luftarake në Ukrainë.
Një rritje e ngjashme e krimeve, u vu re në vitet 1990 pasi ushtarët u kthyen nga Afganistani. Këta individë formuan shtyllën kurrizore të grupeve kriminale në hapësirën post-sovjetike, duke kryer krime të dhunshme për shkak të përvojës së tyre luftarake. Autoritetet ruse përfshinë në luftën në Ukrainë një numër të madh të dënuarish me burg.
Ne besojmë se pas ç’mobilizimit, këta individë ka të ngjarë të vazhdojnë aktivitetet e tyre kriminale. Përfshirja e tyre në krime të shumta lufte në Ukrainë, sugjeron se mund të vazhdojnë sjelljet e tyre brutale. Ndërsa përfundimi i luftës, mund të reduktojë paksa urdhrat shtetërorë për sektorin e mbrojtjes, ky reduktim do të ndikojë tek punësimi, ashtu edhe tek çmobilizimi i disa njësive ushtarake.
Dhe kjo do të rrisë presionin në tregun e punës. Gjithashtu, ne besojmë se përfundimi i luftës do të çojë në zbulimin e të dhënave për humbjet e personelit rus, duke krijuar presion negativ politik mbi udhëheqjen e vendit. Kjo do të sjellë jo pak pakënaqësi publike në mesin e veteranëve të kësaj lufte në lidhje me veprimet e udhëheqjes ushtarake dhe politike në aspektin e furnizimit dhe menaxhimit. Pra Rusia mund të mos e dëshirojë një marrëveshje paqeje për disa arsye:
- Interesat strategjike: Rusia synon që të ruajë ndikimin e saj në Ukrainë dhe rajon. Një marrëveshje paqeje që forcon sovranitetin ukrainas, mund të hedhë në erë qëllimet gjeopolitike të Moskës.
- Stimujt ekonomikë: Kompleksi ushtarako-industrial rus, përfiton shumë financiarisht nga konflikti i vazhdueshëm nëpërmjet buxhetit dhe skemave të korrupsionit. Paqja i kërcënon këto flukse të ardhurash.
- Levat politike: Konflikti në Ukrainë, e lejon Rusinë të ushtrojë presion mbi Perëndimin dhe të testojë vendosmërinë e NATO-s. Mbajtja e situatës jo të qëndrueshme në vendin fqinj, mund t’i shërbejë objektivave më të gjera të politikës së jashtme të Moskës.
- Politika e brendshme: Kremlini mund ta përdorë luftën për të forcuar ndjenjat nacionaliste në vend, shkëputur vëmendjen nga problemet e brendshme dhe mbajtur kontrollin mbi popullsinë.
- Shmangia e llogaridhënies: Një marrëveshje për paqe, mund të çojë në hetime ndërkombëtare mbi krimet e dyshuara të luftës dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, duke rritur rrezikun e përgjegjësisë penale për liderët rusë.
- Sanksionet ekonomike: Rusia mund të mos dëshirojë të angazhohet në një proces paqeje
që kërkon lëshime, dhe që mund sjellë sanksione të zgjatura apo të shtuara, duke e dëmtuar ekonominë e saj.
- Trazira sociale dhe pakënaqësia popullore: Veteranët që kthehen në shtëpitë e tyre
- me ankesa të pazgjidhura, si paga e pamjaftueshme, kushtet e këqija dhe keqtrajtimi nga komandantët, mund të bëhen politikisht aktivë dhe kritikë ndaj qeverisë. Mund të shfaqen protesta dhe trazira, të nxitura nga veteranët dhe familjet e tyre, të ngjashme me lëvizjet sociale që pasuan luftën afgane.
- Rritja e presionit ndaj shërbimeve sociale: Shteti rus mund ta ketë të vështirë të përmbushë nevojat sociale dhe mjekësore të ushtarëve të kthyer, sidomos nëse ekonomia është në vështirësi nga sanksionet dhe kostot e luftës. Veteranët dhe familjet e tyre, mund të ushtrojnë presion shtesë mbi sistemet tashmë në vështirësi të mirëqenies sociale.
- Potenciali për lëvizjet paraushtarake: Veteranët e zhgënjyer, mund të rekrutohen në grupe nacionaliste ose ekstremiste, duke ndikuar në paqëndrueshmërinë e brendshme dhe akte dhune. Ish-ushtarët mund të përdoren gjithashtu nga fraksionet politike apo nga kompanitë ushtarake private, duke ruajtur stilin e tyre të jetës së militarizuar. Përshtatur nga “Robert Lansing Institute”