Dhënia fund e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, ishte një nga premtimet e fushatës së Donald Trumpt. Madje ky i fundit, mburrej se mund ta arrinte brenda 24 orësh. Por 3 muaj pas marrjes së detyrës, ia ka dalë vetëm të negociojë një armëpushim të pjesshëm, i cili që nuk ka bërë asgjë për të ndalur luftimet.
Më 13 prill, Rusia goditi me raketa balistike qytetin e Sumy në verilindje të Ukrainës, duke vrarë të paktën 35 civilë të mbledhur për të festuar të Dielën e Palmës dhe duke plagosur mbi 100 të tjerë. Sulmet ushtarake kanë vazhduar pavarësisht takimeve të shumta mes zyrtarëve të lartë rusë dhe amerikanë, dhe bisedave telefonike direkte midis Trump dhe Putin.
Po pse po dështon Trump? Arsyeja kryesore është se Rusia po e bllokon përparimin. Moska ka krijuar pengesa dhe po përdor taktika vonuese. Nisma kryesore e Trump është propozimi i tij për një armëpushim të përgjithshëm 30-ditor, që do të përgatisë terrenin për negociata më të gjera të paqes.
Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ra dakord menjëherë me këtë propozim në mars, Putin nuk e bëri këtë. Madje ai ofroi një kundërpropozim: një armëpushim të pjesshëm, që ndalon sulmet në infrastrukturën e energjisë. Rusia mbështetet shumë tek eksporti i energjisë, veçanërisht i naftës, për të financuar luftën.
Për këtë arsye, Ukraina ka shënjestuar sistematikisht rafineritë e naftës dhe objektet e magazinimit, duke përdorur kryesisht dronët e prodhuar vetë. Vlerësohet se që nga fillimi i këtij viti, Ukraina të ketë shkatërruar 10 për qind të kapacitetit rus të rafinimi.
Duke e ngushtuar qëllimin e armëpushimit, Putin ishte në gjendje të mbronte prodhimin energjitik të vendit të tij dhe të vazhdonte të sulmonte Ukrainën. Moskës i duhet të luftojë ende për të arritur qëllimin e saj të deklaruar hapur:kontrollin e gjithë Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, 4 rajonet e Ukrainës që pretendoi të aneksonte në vitin 2022.
Një taktikë tjetër dinake e Rusisë, ka qenë shfrytëzimi i çdo mundësie për të paraqitur një listë të gjatë kërkesash për lëshime nga pala ukrainase. Këtu përfshihet heqja dorë nga pretendimet e Kievit për territorin ukrainas të pushtuar nga Rusia, braktisjen e synimit për t’u bashkuar me NATO-n dhe reduktimin e ndjeshëm të forcave të tij të armatosura.
Po ashtu, Rusia dëshiron që Ukraina të bjerë akord me një ndryshim të udhëheqjes politike.
Kjo taktikë është e rëndësishme për dy arsye. Së pari, kërkesat e Rusisë e bëjnë të qartë se Moska e parashikon luftën si fazën e parë të një plani afatgjatë për të ushtruar kontroll mbi të gjithë Ukrainën, dhe jo vetëm mbi territoret e aneksuara. Dhe së dyti, deklarimi i përsëritur i kërkesave të Rusisë i fut ato në diskursin publik.
Kur gazetarët dhe veçanërisht zyrtarët amerikanë i përsërisin ato, siç bëri kohët e fundit i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, ato fitojnë njëfarë legjitimiteti. Kjo krijon pritshmërinë, se një marrëveshje paqeje do të përputhet me axhendën e Moskës.
Po ashtu, Moska është e aftë në largimin e vëmendjes nga përfundimi i luftës. Ndonjëherë Putini e bën këtë me lajka dhe duke përkëdhelur sedrën e Trump. Në një intervistë dhënë pas vizitës së tij në Moskë muajin e kaluar, Witkoff shmangu komentet mbi dështimin e tij për të siguruar një premtim nga rusët për një armëpushim të përgjithshëm, dhe në vend të kësaj tregoi një histori prekëse që tregonte respektin e Putinit për Trump.
Me sa duket Putin i tha Witkoff-it se ai shkoi në kishë dhe u lut për shërimin e Trump, kur ky i shpëtoi për pak një atentati në kulmin e fushatës zgjedhore. Po ashtu i dha Witkoff një portret të Trump, të pikturuar nga një artist që njihet për realizmin e portreteve të vetë Putinit.
Një taktikë tjetër efektive e devijimit përfshin paratë. Zyrtarët rusë u paraqesin amerikanëve perspektivën e marrëveshjeve fitimprurëse që përfshijnë tregtinë dhe investimet. Kjo ndodhi në pjesës më të madhe të takimit të parë midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Arabinë Saudite në shkurt, edhe pse takimi ishte për të diskutuar planet për paqen.
Ndoshta kjo është edhe arsyeja e vizitës së Kirill Dmitriev në Uashington në fillim të prillit. Dmitriev, një figurë e afërt me Putinin dhe kreu i fondit të pasurisë sovrane të Rusisë, konfirmoi për gazetarët se diskutimet e tij përfshinin marrëveshje të mundshme me SHBA-në që përfshinin metale të rralla, shfrytëzimin e burimeve në Arktik dhe rifillimin e fluturimeve direkte midis SHBA-së dhe Rusisë.
Pra ndërsa Rusia vendos pengesa në rrugën e paqes, Trump dhe zyrtarët e tij nuk bëjnë asgjë për t’i hequr ato. Kjo e lejon Moskës ta vazhdojë luftën pa kufizime. Pavarësisht deklaratave formale të Trump se “po e humb durimin me Moskën”, si dhe kërcënimet e tij për tarifa dytësore ndaj vendeve që blejnë naftë nga Rusia, nuk është zbatuar asnjë masë që do të ushtronte presion mbi Moskën.
Në vend të kësaj, Trump ka vazhduar ta justifikojë Moskën. Ai e përshkroi sulmin ndaj Sumy si një ”gabim” dhe ka shprehur admirim për Putinin. Kjo është në kontrast të fortë me marrëdhëniet e Trump me Ukrainën. Zelensky u poshtërua publikisht gjatë takimit me të në Zyrën Ovale.
Trump dhe ekipi i tij, kanë treguar shumë më pak interes për nevojat e sigurisë së Ukrainës sesa për arritjen e një marrëveshjeje fitimprurëse për nxjerrjen e burimeve natyrore të vendit. Perspektiva që administrata Trump të negociojë një marrëveshje paqeje, e cila do ta pranohet nga ukrainasit, duket e largët.
Dhe ku e lë kjo procesin e paqes? Kur të përfundojë për pak ditë marrëveshja e armëpushimit të pjesshëm, Uashingtoni duhet të vendosë nëse do të rifillojë përpjekjet e tij për të siguruar një armëpushim të përgjithshëm apo të ndjekë një kurs të ri.
Bazuar në historikun e tij të deritanishëm, Trump mund t’i fajësojë ukrainasit për refuzimin e dorëzimit ndaj kushteve të Rusisë, të braktisë përpjekjet për të arritur një zgjidhje të negociuar të luftës dhe të angazhohet drejtpërsëdrejti në rivendosjen e marrëdhënieve normale me Rusinë.