spot_img
Saturday, October 19, 2024
spot_img

Pse BE nuk i toleron lojërat teatrale dhe politike të Ramës dhe Vuçiçit?

Nisma e Ballkanit të Hapur, e njohur fillimisht si “Mini-Shengen”, u shfaq si një projekt bashkëpunimi rajonal midis tre vendeve ballkanike: Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Ndërsa zgjerimi evropian u ndal, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor e gjetën veten të paaftë për të mbajtur premtimet për një të ardhme evropiane. Perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor, megjithëse nuk ishin plotësisht të humbura, u duk qartësisht e zbehur nga deklaratat e zyrtarëve më të lartë europianë, se BE-së i duhej të reformonte veten përpara se të mirëpriste anëtarët e rinj.

Në përgjigje të moratoriumit të zgjerimit, i shpallur në vitin 2014 nga Jean-Claude Juncker, Ballkanit Perëndimor iu ofrua një çmim ngushëllues: i ashtuquajturi Procesi i Berlinit, një nismë bashkëpunimi rajonal e drejtuar nga Gjermania. Nisma përfaqësonte një tjetër “transferim projekti” – një ide bashkëpunimi rajonal e konceptuar brenda BE-së dhe më pas ju besua Ballkanit Perëndimor për ta zbatuar dhe zhvilluar më tej.

“Open Balkan’ synohej të ishte pikërisht e kundërta: një projekt i brendshëm, i zhvilluar nga liderët e Ballkanit Perëndimor të etur për të treguar veten të aftë për të nxitur bashkëpunimin brenda rajonit.

Nisma nisi në tetor 2019 me një deklaratë të nënshkruar në Novi Sad nga krerët e vendeve të përfshira, e ndjekur nga dy deklarata të tjera të përbashkëta, të nënshkruara në Tiranë dhe Ohër. Ideja ishte krijimi i një tregu të përbashkët, të ngjashëm me atë të BE-së, për të lejuar lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve (të ashtuquajturat katër liri).

Secili nga vendet e përfshira i perceptoi përfitimet e mundshme të nismës në mënyrën e vet. Për Shqipërinë, hapja e kufirit me Kosovën do t’u mundësonte shqiptarëve të të dyja palëve të gëzonin katër liritë pa asnjë kufizim. Për Serbinë, iniciativa do të çonte në një zbutje në atë që mund të shihet si një normalizim informal i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë. Së fundi, për Maqedoninë e Veriut iniciativa do të përfaqësonte një mundësi për të rifituar vrullin politik në nivel rajonal, pasi Marrëveshja e Prespës – dhe ndryshimi i mëvonshëm i emrit të vendit – kishte lënë një shije të thartë në gojën e popullatës dhe politikës lokale.

Pavarësisht entuziazmit fillestar, sot projekti Open Balkan duket se ka hyrë në një rrugë pa krye. Arsyet për këtë janë të shumëfishta. Dështimi lidhet pjesërisht me vetë strukturën e projektit, i promovuar kryesisht nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, pra nga dy liderë të gatshëm të mbështesin iniciativat rajonale vetëm nëse mund të përfitojnë prej tyre në nivelin e brendshëm politik.

Së dyti, nisma nuk ka përfshirë kurrë vende të tjera si Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, të cilat të gjitha treguan mosbesim dhe mbështetën Procesin e Berlinit si alternativë e preferuar. Së treti, ndryshimet gjeopolitike, të provokuara nga agresioni rus në Ukrainë, e shtynë BE-në të bënte një kthesë në politikën e saj të zgjerimit.

Në mars të vitit 2024, BE vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Pak muaj më parë, Moldavia dhe Ukraina morën gjithashtu dritën jeshile për fillimin e negociatave. Ringjallja e zgjerimit ka ushtruar presion negativ mbi nismat alternative si Ballkani i Hapur.

Në të njëjtën kohë, prania e përtërirë politike e BE-së në Ballkanin Perëndimor ka ringjallur çështjen e fatit të bashkëpunimit rajonal. Procesi i integrimit evropian nuk mund të vazhdojë pa bashkëpunimin dhe kërkimin e zgjidhjeve për disa çështje me të cilat përballen shoqëritë e pas konfliktit, si ato ish-jugosllave.

Një proces i rishikuar i Berlinit që përfshin anëtarësimin në BE si një qëllim të caktuar mund të jetë një vendim  i mirë për të filluar nga e para. Duke vendosur një objektiv të qartë, Procesi i Berlinit mund të shndërrohet nga një nismë tjetër paternaliste e konceptuar nga jashtë në një projekt të përqafuar me entuziazëm nga vendet e rajonit.

Sinjali pozitiv në këtë drejtim është fakti se në vitin 2023 në Tiranë u zhvillua samiti vjetor i Procesit të Berlinit, ndryshe nga vitet e mëparshme që pritej nga qytetet e BE-së. Edhe pse kryesisht simbolik, ky ndryshim ndjek një nga idetë e pakta të promovuara me sukses nga Open Balkan – atë të inkurajimit të takimeve brenda rajonit për të demonstruar koherencën e një projekti të aftë për të përfshirë aktorët lokalë.

Përafrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë duhet të jetë një parakusht për përparimin e rajonit drejt BE-së, duke parandaluar kështu Rusinë të shfrytëzojë linjat e prishjes brenda rajonit. Ky përafrim është i nevojshëm në fazën aktuale të riorganizimit të rendit global në të cilin BE nuk mund të përballojë një lider tjetër si Orbán.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se nisma Open Balkan ia ka arritur qëllimit, duke dërguar kështu një mesazh të qartë se Shqipëria po rifokusohet. E ardhmja e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor mbështetet në një projekt të qartë të integrimit evropian, i kryesuar nga Brukseli dhe pa lojëra teatrale dhe politike si ato të luajtura nga liderët ballkanikë gjatë eksperimentit të Ballkanit të Hapur.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit