Gazetari Berat Buzhala njofton se gjatë kësaj jave do ta padisë ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Arsye për këtë padi, siç ka shkruar Buzhala, është se “Sveçla ka thënë se Berati ka prona në veri”.
“Më paskan informu gabimisht, Xhelali nuk paska thënë që dokumentet për pronat në veri i kanë gjet në shtëpinë e Milanit, por paska thënë që kur i kane kërku dokumentet për me i marre do prona për një stacion policor, aty e kane pa, se pronar tokash paskan qenë Zvonko, Berati, Bujari etj”.
“Sapo bisedova me avokatin tim Besnik Berisha. Do ta padisim Ministrin e Brendshëm, sa më shpejt që është e mundur”.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në panelin për politikat e mbrojtjes dhe sigurisë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje ndërsa ka folur për ndërtimin e nënstacionit policor në veri, pretendoi se derisa po shikonin shpronësimin e perimetrit të sigurisë të stacionit policor, kanë parë se pronarë të parcelës figuronin biznesmeni serb i sanksonuari nga SHBA-ja Zvonko Veselinoviqi e biznesmenët kosovarë Bujar Musa e Akan Ismajli (ky i fundit ka qenë edhe ish-ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës) dhe gazetari Berat Buzhala.