Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka njoftuar se është pezulluar një profesor i gjuhës angleze në shkollën “Xhemail Mustafa”.
I njëjti përdhosi simbolet e kombit shqiptar, duke hedhur në kosh të plehrave gjatë një ore mësimi, flamurin KuqeZi.
Ajo theksoi se ky incident është një veprim i papranueshëm, që është i dëmshëm për edukatën e brezit të ri dhe për krenarinë kombëtare, duke shtuar se profesori do të përballet me pasojat ligjore për sjelljen e tij.
Tutje mësohet se i njëjti profesor, dyshohet ta ketë përjashtuar nga shkolla një nxënëse e cila kishte shkuar në shkollë me plis në kokë dhe veshje me motive kombëtare shqiptare.
”JO PËRDHOSJES SË SIMBOLEVE KOMBËTARE
Të dashur qytetarë,
Me shumë keqardhje kemi marrë lajmin për një incident të papranueshëm, ku një profesor gjatë mësimdhënies ka shkelur rëndë respektin ndaj simboleve tona kombëtare. Në një ditë festive, kur duhej të ndihmonte fëmijët të shijonin dhe ndiheshin krenarë për identitetin e tyre, ai e hodhi flamurin kombëtar në koshin e mbeturinave.
Ky veprim është një shkelje e rëndë e çdo morali, etike dhe norme juridike.
Kosova është shtet demokratik dhe laik, ku simbolet kombëtare gëzojnë respekt të pakushtëzuar në çdo institucion, dhe askush nuk ka të drejtë t’i përdhosë ato.
Në këtë rast, ju njoftoj se profesori është pezulluar menjëherë nga detyra dhe do të përballet me pasojat ligjore për këtë sjellje të papranueshme.
Kosova e ka ndërtuar shtetin e saj mbi vlerat e respektit dhe krenarisë për simbolet kombëtare, dhe asnjë individ nuk duhet të ketë mundësinë t’i shkelë ato, e asnjëherë në institucionet e arsimit.
Le të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të simboleve tona kombëtare!
Faleminderit”.