Profesori amerikan Edward P. Joseph, njohës i Ballkanit Perëndimor, ka reaguar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe veprimet e Qeverisë Kurti në lidhje me veriun e vendit, përfshirë mbylljen e pikave të postës serbe në territorin e Republikës së Kosovës.
Joseph ka rikujtuar një shkrim autorial të kryeministrit Albin Kurti, të publikuar kohët e fundit në gazetën amerikane “The New York Times,” ku Kurti e përshkruan paqen si një proces të vështirë dhe dinamik që duhet të ruhet vazhdimisht, duke theksuar se konflikti në Ballkan tërheq lojtarë të huaj në kufi dhe kërcënon sigurinë e Evropës.
Në reagimin e tij, Joseph thekson se veprimet e kryeministrit Kurti, të cilat i konsideron “të njëanshme dhe të pakoordinuara” me SHBA-në, janë në kundërshtim me qëndrimet e tij të shprehura në artikullin e datës 5 korrik në “The New York Times”.
Joseph argumenton se mbyllja e postave serbe në mënyrën si është realizuar nga Qeveria Kurti dëmton paqen dhe rrit tensionet, gjë që përkon me interesat e Rusisë dhe Serbisë.
“Veprimet provokuese e bëjnë shumë më të vështirë për serbët etnikë të integrohen në institucionet e Kosovës dhe të bëhen pjesëmarrës aktivë në demokracinë e Kosovës,” shton Joseph.
Sipas tij, veprimet e fundit të Kurtit përforcojnë një pikë të rëndësishme të artikullit të tij në “The New York Times,” ku Kurti ka theksuar se roli i NATO-s në Kosovë, edhe pas 25 vitesh ndërhyrje, mbetet më vendimtar se kurrë.
“Nga ana tjetër, veprimet e fundit të Kurtit vërtetojnë vëzhgimin më të mprehtë nga shkrimi i tij në Times: ‘Një çerek shekulli pas ndërhyrjes së saj, roli i NATO-s në Kosovë dëshmon se organizata [mjerisht] është më vendimtare se kurrë,’” ka shkruar Joseph.
Joseph thekson se interesat strategjike të Kosovës janë të përqendruara në avancimin drejt anëtarësimit në NATO, për të shmangur mbetjen e vendit si një protektorat të përhershëm të NATO-s.
Ai i bën thirrje kryeministrit Kurti që të tërhiqet nga veprimet e datës 5 gusht dhe të rikthehet tek parimet e artikullit të publikuar në “The New York Times” më 5 korrik.