Prokuroria Themelore në Gjilan, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve V.S. dhe F.M., tashmë të arrestuar që nga nëntori për vrasjen e rëndë më 7 nëntor në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan.
Vrasja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy viteve derisa i ndjeri ishte duke hyrë në veturë, e ku i afrohet dhe me armë e gjuan viktimën në pjesën e pasme të shpinës, teksa pasi rrëzohet në tokë e godet me grusht dhe shqelm.
Më pas së bashku me të pandehurin tjetër F.M. janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i ndjeri për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë.
“Me këto veprime, i pandehuri V.S., ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjithashtu, i njëjti akuzohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, nga neni 366 të KPRK-së, pasi pa autorizim ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila është sekuestruar.
I pandehuri F.M., që nga data 7 – 12 nëntor 2024, në vende të ndryshme në Gjilan, me dashje ka ndihmuar të pandehurin V.S., në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë, me çka ka kryer veprën penale ‘’Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’’, nga neni 380 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.