Elton Ilirjani ka tronditur në ‘Opinion’ publikun e gjerë shqiptar, duke rrëfyer me ‘gjysmë zëri’ disa gjëra nga jeta e panjohur e Parashqevi Simakut. Edhe pse i rezervuar, Ilirjani tha se nëse thuhet e gjithë e vërteta e jetës së divës, do të tronditej e gjithë shoqëria shqiptare.
Elton Ilirjani: Është emblema e gjithë problematikës së shoqërisë shqiptare, është diva më e madhe, është maja e ajsbergut…Nëse Parashqevi Simaku si histori do të hapet, shoqëria shqiptare do të tronditet!
Por pse ekspozimi i historisë së saj do të shkaktonte një “tërmet”?
Elton Ilirjani: Sepse ka personazhe të fuqishëm të përfshirë, të politikës së atëhershme. Të Sigurimit të Shtetit që e kanë përndjekur pa dijeninë e saj, të botë së artit. Është diva e padiskutueshme shqiptare, e xhelozuar maksimalisht nga kolegët e saj. Asnjë koleg i saj, qoftë të bënin dhe një koncert në formë bamirësie, apo qoftë 100 dollarë, ata heshtën sepse ata i tremben imazhit të mrekullueshëm të një dive shqiptare, të vetmes. Prandaj iu përula! Më e madhja e shqiptarëve! Ne si atdhetarë nuk duhet ta kishim lënë aty”, u përgjigj Ilirjani.
Ai shtoi se “etiketa e sirtarit të saj është e frikshme”.
Elton Ilirjani: Ajo është grua e zgjuar dhe nuk ka për ta hapur…Unë e di atë sirtar. Parashqevinë e dua fort se kam jetuar 3 muaj me atë zonjë dhe kemi marrëdhënie të fortë emocionale, ajo është si mami për mua.