Vendbanime serbe në Kosovë si Graçanica e Llapllasella mund të jenë më të zbrazura se zakonisht.
Arsyeja e kësaj ‘zhdukje’ mund të jetë fakti që në mënyrë të organizuar po barten njerëz që të mbushin mitingjet e kundërmitingjet në Beograd.
Siç shkruan portali serb Radio Kim, në mesin e atyre që udhëtuan për në Beograd, te Parku i Pionerëve, nuk ishte asnjë student, por që të gjithë të moshuar nga Graçanica e Llapllasella.
Nga ajo që ka mësuar ky portal, përpos banorëve nga Graçanica e Llapllasella, ka pasur edhe serbë nga Kusaci, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Shtërpca.
Qysh më parë ishte paralajmëruar se presidenti Vuçiq do të mbështetej prej qindra serbëve nga Kosova të cilët, në këmbim të kësaj, do të merrnin deri në njëqind euro në ditë.
Milija Bishevac, kryetar i Lëvizjes Popullore Serbe, ka thënë se po dalin të vërteta lajmet që Lista Serbe po i organizon serbët për të shkuar në Beograd.
“Lista Serbe po rekruton njerëz nga Kosova që të bëhen kurban në Beograd, për t’u dukur si studentë e për ta mbështetur regjimin e Aleksandër Vuçiqit”, ka theksuar Bishevac.
Sipas kreut të Lëvizjes Popullore Serbe, studentët e Universitetit të Mitrovicës kanë refuzuar të shkojnë në Beograd, porse përfaqësuesit e Listës Serbe kanë përdorur çdo lloj mjeti për t’i tërhequr njerëzit për të shkuar atje.
“Ata janë kryesisht njerëz të lidhur pas punës, të punësuar në institucionet e Republikës së Serbisë, që tashpërtash nuk po punojnë, ndaj ardhja në Parkun e Pionerëve iu është dhënë si detyrë. Ata që kanë shkuar janë kryesisht jo studentë, ata janë të shantazhuar në njëfarë mënyre, sepse janë grupi më i brishtë i popullatës, të lidhur me ndihmat sociale”, ka shtuar ai.
Edhe ish-kryetari i Graçanicës, Branimir Stojanoviq, ka thënë se drejtorët e institucionëve iu kanë bërë thirrje dhe trysni njerëzve që të shkojnë në Beograd.
Ndërkohë, analisti politik, Ognjen Gogiq ka thënë se serbët që po vijnë në Beograd po e ndjekin të njëjtën praktikë si në kohën e Millosheviqit.
“Fillimisht, kjo më ka kujtuar kur Millosheviqi sillte serbë prej Kosove në Novi Sad në kohën e revolucionit antiburokratik. Kur e përmbysën udhëheqjen e Jugosllavisë, ata i nisën në Slloveni”, ka thënë ai.
Sipas tij, ardhja e këtyre serbëve në Beograd vjen edhe nga fakti që ata mendojnë se nëse Vuçiqi rrëzohet nga pushteti, “edhe ata do të rrëzohen”.