Komisioni Evropian ka konfirmuar se për momentin nuk ka parafinancim për Kosovën dhe Serbinë në kuadër të “Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, në një konferencë për media tha se në procedurat për “Planin e Rritjes”, parakusht për të dyja shtetet është angazhimi i tyre konstruktiv në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai bëri të ditur se procedurat për parafinancim janë në proces për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, që janë përfituese të parafinancimeve këtë javë.
Megjithatë, për Kosovën dhe Serbinë, ende nuk ka asnjë lëvizje të ngjashme, pasi ato ende nuk kanë plotësuar parakushtet.
“Mund ta konfirmojë se në këtë fazë nuk ka paranfinancim për Serbinë dhe Kosovën. Më herët këtë javë e javën e kaluar u bë parafinancimi për Maqedoninë e Veriut e Shqipërisë. Por, procesi po vazhdon për Kosovën e Serbinë”, ka thënë Mercier në konferencë për media.
Ai tha se: “Në procedurat për Planin e Rritjes, ka parakusht kur bëhet fjalë për Serbinë e Kosovën, e që është të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizim të marrëdhënieve”
Po ashtu, BE-ja ka mbajtur masat ndëshkuese ndaj Kosovës që nga qershori i vitit 2023, një faktor që gjithashtu ndikon në bllokimin e financimeve për vendin.