Ish ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në Rambuje dhe diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, ka deklaruar se edhe pas tri dekadash nga përfundimi i luftërave në ish-Jugosllavi, Bosnja dhe Kosova vazhdojnë të mbeten konflikte të papërfunduara.
Petritsch theksoi se Marrëveshja e Daytonit, e cila i dha fund luftës së përgjakshme në Bosnje në vitin 1995, ishte historike për ndaljen e dhunës, por jo për ndërtimin e një shteti funksional.
“Mosfunksionaliteti i shtetit të Bosnjës ishte tashmë i integruar në marrëveshjet e paqes”, ka thënë Petritsch duke shtuar se ndarja etnike që e karakterizon Bosnjen është një nga arsyet kryesore të bllokadës së vazhdueshme institucionale.
Ai vlerësoi ndërhyrjen e fuqishme amerikane gjatë viteve të ‘90-ta si vendimtare për paqen në rajon, por theksoi se marrëveshjet e asaj kohe kishin për synim vetëm ndaljen e dhunës, jo ndërtimin e paqes së qëndrueshme.
“Realiteti i pasluftës në këto vende pasqyron kufizimet e marrëveshjeve që ishin fokusuar më shumë në ndaljen e dhunës sesa në ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe institucioneve funksionale”, tha ai.
Petritsch e përmbylli duke theksuar se Marrëveshja e Daytonit duhet të shihet si platformë fillestare, jo si zgjidhje përfundimtare për Bosnje-Hercegovinën.