Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, vazhdon me propagandë armiqësore ndaj Kosovës, kësaj radhe me ndihmën e tabloidit të Vuçiqit, “Informer” për të cilin ka dhënë një intervistë me rastin e arrestimit të fundit të serbëve në Kosovë.
Ai ka deklaruar se kjo është “një goditje ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe besimtarëve, për shkak se një numër në rritje i tyre po vizitojnë i manastiret në Kosovë”. Ai ka thënë se “qëllimi i frikësimeve dhe arrestimeve është që të dëbohen serbët dhe të mbyllen manastiret ortodokse serbe.
Petkoviq ka thënë për këtë tabloid të kompromentuar edhe në vet Serbinë, se arrestimet “në çdo hap” janë “një problem i madh me të cilin ballafaqohen serbët e Kosovës, veçanërisht serbët që vijnë nga Serbia që duan të vizitojnë manastiret, si dhe personat e zhvendosur që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në vitin 1999”.
“Ata arrestohen në çdo hap, veçanërisht nëse kalojnë, siç thotë ai, “vijën administrative”, ka pretenduar Petkoviq dhe ka shtuar se “pelegrinët” që u arrestuan së fundi “po vizitonin faltoret e tyre”, gjë që ata kanë të drejtë ta bëjnë.
Ai në propagandën e tij ka pretenduar se janë arrestuar dy grupe të serbëve, katër në Gjakovë dhe 12 në Prizren, në bagazhin e të cilëve u gjetën “gërshërë për krasitjen e frutave dhe dy brisqe për përdorim privat”, dhe ka shtuar se me këtë Kosova “ka bërë një tregim mediatik duke thënë se ishte një akt terrorist dhe se ata persona ishin serbë të maskuar që u paraqitshin si pelegrinë”.
Kjo, ka pretenduar ai, është “një goditje për kishën ortodokse serbe dhe besimtarët, dhe për shkak se një numër i madh i njerëzve po shkojnë dhe i vizitojnë manastiret në Kosovë”, duke përmendur si shembull që në Manastirin e Deçanit gjatë javës shkojnë 500 njerëz në liturgji.
“Kjo po i nervozon ata, sepse kisha është e gjallë, që serbët ende i luten Zotit në Kosovë. Kështu u dërgohet një mesazh, për t’i frikësuar, që kushdo që mendon të vizitojë manastiret, të mendojë se mund të kalojë njëjtë… Sa për të shpërngulurit, të cilët arrestohen për “gjoja” krime lufte, qëllimi është të dëbohen serbët dhe mbyllja e manastireve. E gjithë kjo është lojë e Albinit Kurtit, me qëllim që të provokojë edhe më tej Serbinë dhe serbët e Kosovës që ata të reagojnë në mënyrë të papërshtatshme, në mënyrë që pastaj Prishtina të përdorë forcën”, ka pretenduar Petkoviq.