Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë sot se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është në pritje të Albin Kurtit dhe pasardhësit të tij, sepse ky është obligim i Prishtinës, i garantuar nga Bashkimi Evropian.
Lidhur me mesazhin e Kurtit në një tubim zgjedhor në Mitrovicë se “gjendja në veri ka ndryshuar për mirë gjatë mandatit të tij”, dhe se me të si kryeministër nuk do të ketë Zajdenicë, Petkoviq deklaroi se Kurti është shumë nervoz para zgjedhjeve, pra po e intensifikon retorikën dhe sulmet ndaj popullit serb.
“Kot i ka përgënjeshtruar dhe sulmuar, sepse me 9 shkurt do të duhet të pranojë fitoren e Listës Serbe dhe të popullit serb! Asociacioni është duke pritur Kurtin dhe pasardhësin e tij, sepse ky është një angazhim që Prishtina e ka marrë dhe BE-ja e ka garantuar!”, ka shkruar Petkoviq në rrjetin social “X”.
Ai shtoi se Kurti nuk duhet të pretendojë shumë për veriun.
“Dhe ashtu si rrethanat elektorale nuk po i shkojnë në rrugën e tij Kurtit, ngjarjet botërore po e pengojnë gjithnjë e më shumë, kështu që të mos pretendojë shumë shpejt veriun dhe liqenin e Gazivodës!”, ka përfunduar Petkoviq.