“Një garë të bërtiturash!”. Kështu e përshkruan mediat kineze përplasjen e ashpër të së premtes në Shtëpinë e Bardhë midis Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyt, para kamerave dhe medias ndërkombëtare.
Raportet nga Kina, vënë në dukje “natyrën shumë të rrallë” dhe “dramatike” të një episodi, i cili “nxjerr në pah dallimet e thella midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës” mbi një zgjidhje diplomatike të konfliktit të armatosur 3-vjeçar.
Incidenti, shkruan Global Times, tabloidi shumë pranë regjimit kinez, “i tregoi gjithashtu administratës Trump se përfundimi i krizës, mund të jetë më sfidues sesa e priste në fillim”.
Janë pikërisht këto “sfida”, mbi të cilat Kina i ka varur shpresuar që nga shkurti i vitit 2022, kur mbajti një qëndrim ndaj luftës në Ukrainë, që ka mbetur në thelb i pandryshuar. Pekini priste që lodhja e frontit perëndimor, t’i detyronte në fund të gjitha palët të pranonin kërkesën e Pekinit për një “zgjidhje politike”, bazuar në parimet e “shqetësimit territorial për sigurinë e të gjitha palëve”.
Dy parimet e deklaruara, janë sigurisht të vështira për t’u përputhur me luftën në Ukrainë, duke pasur parasysh se Pekini ka mbështetur gjithnjë vizionin anti-NATO dhe anti-SHBA të Moskës. Pikërisht për këtë arsye, Xi Jinping, nuk e ka propozuar asnjëherë veten, pavarësisht keqinterpretimeve të disa analistëve, në rolin e ndërmjetësit të zgjidhjes së konfliktit.
Në konferencën e përjavshme për mediat të shtunën, zëdhënësi i qeverisë kineze zgjodhi të mos bëjë asnjë koment. Në fakt, në nivel zyrtar Pekini do të jetë i prirur të mbështesë përpjekjet e Trump për të gjetur një zgjidhje politike për konfliktin.
Por në realitet, nga këndvështrimi i Pekinit poshtërimi i Zelenskyt para mediave të gjithë botës, është një spektakël që vështirë se mund të kishte shkuar më mirë sesa kaq. Sigurisht, bota e kishte parë tashmë rrënimin e aleancës midis Uashingtonit, Kievit dhe Evropës, por askush nuk mund ta imagjinonte që braktisja përfundimtare të ndodhte në një mënyrë kaq groteske para kamerave televizive.
Nga këndvështrimi i Kinës, ky episod tregoi përfundimisht shpërbërjen e besueshmërisë së Shteteve të Bashkuara, si dhe të aleancës midis demokracive të udhëhequra nga SHBA në mbarë botën, e cila ishte përforcuar nga Joe Biden.
Ngjarja e pazakontë në Shtëpinë e Bardhë, ofron një nxitje të jashtëzakonshme në favor të narrativës së Pekinit se si funksionon bota, me disa komente në mediat sociale kineze se Trump është “ambasadori më i mirë i Kinës”.
Ajo që po ndodh në Ukrainë, është në fakt shembulli ideali që Xi Jinping mund t’ua tregojë në formë paralajmëruese fqinjëve të tij aziatikë, se sa të pabesueshme janë bërë Shtetet e Bashkuara. Mesazhi, i nënkuptuar apo i qartë, është shumë i qartë: “Amerikanët do t’ju armatosin, por më pas do t’ju braktisin, siç bënë me Afganistanin në fillim, dhe tani me Ukrainën!”.
Dhe një ndër objektivat e parë të një mesazhi të tillë është padyshim Tajvani, i cili po sheh me frikë mënyrën se si po trajtohet Zelensky ng SHBA, dhe çfarë domethënie ka kjo për sovranitetin e tij, ndërsa Pekini po e forcon retorikën mbi “ribashkimin”.
Po ashtu, është një lajm i keq për Korenë e Jugut, Japoninë dhe Filipinet, të cilat vitet e fundit ishin afruar shumë me Uashingtonin dhe tani janë mosbesuese ndaj angazhimit dhe qëndrueshmërisë së sjelljes së SHBA-së ndaj tyre.
Aq sa shumë analistë parashikojnë që Seuli dhe Tokio, do të synojnë zhvillimin e arsenalit të tyre bërthamor, ose krijimin e një lloj NATO-je aziatike për të reduktuar varësinë nga ndihma e SHBA-së. Në këtë situatë Kina buzëqesh.
Teoria e një “pranvere” të re në raportet SHBA-Rusi për të izoluar Pekinin, duket më shumë si një fantazi. Në fillimin e viteve 1970, Henry Kissinger dhe Richard Nixon shfrytëzuan ndarjet ekzistuese midis Pekinit dhe Moskës, madje u përfshinë edhe në përleshjet e kufizuara që ndodhën përgjatë kufirit sovjeto-kinez.
Këtë herë, Uashingtonit do t’i duhet të prishë rreshtimin midis dy fuqive që ndajnë shumë interesa brenda rendit global. Për të mos harruar faktin që Kina është më e integruar në ekonominë perëndimore sesa Rusia, e cila me luftën në Ukrainë, e ka rritur varësinë e saj nga Pekini.
Sigurisht, Vladimir Putin mund ta përdorë këtë afrim të madh, për të forcuar autonominë e tij strategjike. Por paparashikueshmëria e SHBA-së në këto momente dhe acarimi i raporteve me Evropën, nuk e lehtësojnë një ndarje hipotetike.
Pardje Xi priti në Pekin Sekretarin e Këshillit të Sigurimit rus, Sergei Shoigu, me shpresën e një forcimi të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, vetëm pak ditë pas një bisedës telefonike të radhës midis Xi dhe Putin.
Megjithatë, asnjëra nga këto nuk nënkupton se Pekini dëshiron të marrë pjesë drejtpërdrejt në procesin e negociatave, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Në fakt, në këtë fazë Kina e konsideron si të dëmshëm për imazhin e saj paraqitjen përkrah Donald Trumpit.
Për këtë arsye, deri më tani Xi e ka zvarritur kërkesën për takim nga ana e udhëheqësit amerikan, edhe me koston e një vale të re tarifash. Ai beson se në këtë fazë, qëndrimi duarkryq dhe vëzhgimi i tensioneve të thelluara mes amerikanëve dhe evropianëve nga distanca e duhur, mund t’i japë avantazhe të rëndësishme, duke filluar nga një përmirësim i mundshëm i marrëdhënieve me Evropën.
Kina duket më e përgatitur për t’u përballur me Trumpin, se gjatë mandatit të tij të parë. Ose të paktën, Pekini po përpiqet të shohë se ku mund të përfitojë nga qasja e presidentit amerikan ndaj politikës ndërkombëtare.
Herën e parë, u kundërpërgjigj me të ashtuquajturën “diplomacinë e ujkut luftëtar”, një qëndrim agresiv që shumë njerëz tani e shohin si një shans të humbur. Këtë herë, Kina po përpiqet të projektojë një imazh më të butë dhe më pajtues.
Duke u shfaqur si një fuqi më e përgjegjshme: garantuese e tregtisë së lirë dhe mbështetëse e dialogut politik për krizat ndërkombëtare. Kjo qasje, po jep rezultate në të ashtuquajturin Jug Global. Por Pekini, beson se mund të japë fryte edhe në Perëndim. Ai mendon se Evropa s’mund të zhvillojë dy luftëra tregtare në të njëjtën kohë, dhe është çorientuar nga sjellja brutale e Trump.
Nuk është rastësi që Xi po fokusohet aktualisht tek ajo që e quan “nisma e paqes globale”. Sado i paqartë ky manifest i ri, ai mishëron ripozicionimin e një Kine, që mund të arrijë fitore diplomatike si një alternativë e besueshme ndaj Shteteve të Bashkuara.