Një shtetas shqiptar, 37 vjeçar, është arrestuar në Dubrovnik nga autoritetet kroate, nën dyshimin për tentim vrasje dhe sjellje të pahijshme.
Sipas raportimeve nga “Index.hr”, hetimet kanë zbuluar se i dyshuari, që nga korriku i vitit të kaluar deri në maj të këtij viti, kishte përndjekur një 26-vjeçare nga Bosnja dhe Hercegovina, e cila banon përkohësisht në Kroaci.
Ai i ishte paraqitur asaj vazhdimisht në vendin e punës, me synimin për të krijuar një marrëdhënie romantike, pavarësisht refuzimit të vajzës.
Por situata eskaloi natën e 13 majit në Dubrovnik, kur shqiptari sulmoi një 26-vjeçar tjetër, mik të vajzës, gjithashtu shtetas i Bosnjës.
“Ai fillimisht e grushtoi në kokë e më pas, duke kërcënuar se do ta vriste, u përpoq ta therte në qafë. I dyshuari u ndalua nga një punonjës i restorantit”, thuhet në raportim.
Gjatë përpjekjeve për ta ndalur, dy persona të tjerë u lënduan nga sulmi i të dyshuarit.
I arrestuari është vendosur në paraburgim ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.