Shkruar nga Afrim Imaj
Rruga që sot mban emrin “Tefta Tashko Koço” në Tiranë, në kohën e Mbretit Zog , quhej rruga “Aubrey Herbert”, pagëzuar kësisoj nga vet mbreti. Pak kush di dicka aktualisht për historinë e të huajit që monarku zgjodhi emrin e tij për një nga rrugët më të populluara të kryeqytetit afër rrugës së Tabakëve. Pak fare pak në letrat shqiptare flitet për të, ndërkohë që dhe historianët e fushës ndjehen deficitar në aq sa shfaqin aty këtu për këtë figurë të shquar, që ka mbrojtur çështjen shqiptare në ditët më të vështira të saj, pikërisht atëherë kur ishte në diskutim vet ekzistenca e shtetit.
Konti britanik, Aubrej Herbert, ka qenë një mik i madh i shqiptarëve. Ai e ka njohur nga afër si rrallëkush nga të huajt Shqipërinë, e ka dashur me shpirt dhe është përpjekur shumë për lirinë e saj, aq sa edhe shqiptari më patriot. I lindur në fundin e shekullit XIX, në një familje me emër, Aubrej Herbert, djali i Kontit Carnarvon, u diplomua për histori në Universitetin e Oxfordit dhe shërbeu për shumë vite në misionet diplomatike të Anglisë fillimisht në Tokio e Stamboll, mandej në shumë vende të Europës. Në vitin 1910 është zgjedhur deputet në Parlamentin e Bitanisë, mandat të cilin e ka mbajtur deri në fund të jetës. Në kohën e Luftës Parë Botërore, ka shërbyer në ushtri dhe është pjesëmarrës në shumë fronte si në Dardanele, Mesopotani, Selanik, Itali dhe ka mbajtur gradën kolonel. Kontributi i tij për çështjen shqiptare, për herë të parë është shfaqur në vitin 1912, kur krijoi në Londër Komitetin britanik me anëtarë të Dhomës së Lordëve e të Komunave, dijetarë e gazetarë të shquar me qëllim për të njohur pavarësinë e Shqipërisë nga ana e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913. Ndërkaq në itin 1914 ai do të ngrinte zërin e protestës në Dhomën e Komunave të Parlamentit të Anglisë ndaj krimeve mizore të bandave greke të Zografit mbi popullatën shqiptare myslimane në fshatrat e Jugut të Shqipërisë. Pak vite më vonë Aubrej Herbert krijoi një shoqëri Anglo–Shqiptare, në qendër të të cilës ishte mbrojtja e mëvetësisë dhe teritorialitetit të vendit, ku pati për krahë të djathtë Edith Durhamin, një njohëse e hershme e Shqipërisë, që kishte udhëtuar disa herë në trojet shqiptare dhe ishte miqësuar me shumë vendas. Pas Luftës Parë Botërore shoqëria që drejtonte konti britanik me destinacion Shqipërinë dhe shqiptarët vëzhgonte nga afër zhvillimet në Ballkan dhe ishte kanali kryesor nëpërmjet të cilit informohej për zhvillimet në territoret shqiptare qeveria dhe autoritetet e tjera angleze. Së bashku me dashamirës të tjerë të huaj Aubrej Herbert u bë mbrojtës i çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Versajë në vitin 1919. Ndërkohë ka dokumente që vërtetojnë dhe kontributin e spikatur të tij në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920.
Për herë të parë Aubrej Herbert ka vizituar Shqipërinë në maj të vitit 1907. Rikthen sërish në vitin 1908. Për tre vjet radhazi deri në Luftën e Parë Botërore punoi pa u lodhur për kauzën kombëtare shqiptare. Në gusht të vitit 1912 vendosi të kthehet përsëri në Ballkan. Kishte mbetur pa vizituar Sanxhakun e Novi Pazarit të cilën e quajti “… tokë e askujt, pushtuar nga turqit, mbajtur me plot rreziqe nga shqiptarët, e administruar nga askush”. Me shpërthimin e Luftës Ballkanike u rreshtua përkrah Shqipërisë e cila megjithëse u shpall neutrale, u bë shesh lufte. Me Luftën e Dytë Ballkanike, Aubrej u bë pothuaj heroi i çështjes shqiptare. U rikthye rishtas në vendin tonë në vitin 1918, por tanimë si kolonel i Shërbimit të Zbulimit Ushtarak britanik. Për kontributet e veçanta që demonstroi në mbështetje të çështjes shqiptare, është propozuar dy herë për të qënë mbret i Shqipërisë. Kërkesën e parë ia ka bërë Ismail Qemali në maj të vitit 1913 gjatë Konferencës për Ballkanin në Londër. Sipas mbesës së Aubrej Herbertit, Margaret Fitzherbert në librin biografik për gjyshin e saj, lideri shqiptar këmbëngulte në këtë zgjedhje duke u bazuar në faktet që Aubrej Herbert ishte kristian, por as ortodoks dhe as katolik, ishte jo vetëm njohës por edhe admirues i Islamit, i takonte aristokracisë angleze. Rasti i dytë, sipas Margaret Fitzherbert, ishte në shtator të vitit 1920, ku qeveria shqiptare autorizoi Mehmet Konicën tia parashtrojë përsëri kërkesën për të qënë në krye të monarkisë shqiptare. Në kujtimet e mbesës, por edhe ato të kontit Herbert, nuk përshkruhen arsyet pse nuk u realizua diçka e tillë. Sidoqoftë ai mbeti një mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të cilët ka shkruar dhe një libër ku shtjellon shumëçka nga koha kur ishte mysafir i tyre. Fakti që është rezervuar të vërë emrin Aubrej Herbert për autor, çfarë nuk ia lejonte, sipas rregullit të kohës, statusi i diplomatit, por emrin Ben Këndimi, e ka lënë jashtë vëmendjes të botueseve shqiptarë. PAMFLET zbardh për herë të parë kujtimet e tij marrë nga libri “Shënime nga udhëtimet në Lindje”, ku pjesën kryesore e zënë mbresat nga Shqipëria dhe konsideratat e tij për shqiptarët “si njerëz të besës e mikpritës si askush”.
Shqipëria si e kam parë
Në historinë e re të dy vendeve të vegjël, që në rastin tonë janë Shqipëria e Irlanda, çuditërisht vërehet një ngjashmëri kërshëri ndjellëse, ngjashmëri që pasqyrohet edhe në marrëdhëniet e tyre me perandoritë e mëdha, nën të cilat kanë qenë, ku herë paraqiten për to si kërcënim e herë në mbështetje. Të dy vendet janë të varfëria, ndërsa perandoritë, pjesë e të cilave pra kanë qenë, janë të pasura; hapësirat e tyre tokësore nisin me moçalishte e mbyllen me lagje të zhytura në varfëri; historia e popujve që i banojnë është histori e klaneve e fiseve, ku grindjet mes vetes shndërrohen në luftra civile, kredua e tyre është konflikti. Në të dy rastet shihen kontributi e roli që luajnë për perandorinë, të cilët herë shërbejnë për çimentimin e saj e herë si dinamit që i hedh në erë; herë kanë dëmtuar e herë kanë ndihmuar. Irlanda më shumë se një herë u është bashkuar armiqve tanë e, ndërkohë, na ka dhënë ushtarakët tanë më të vyer; vërtet ka cenuar kushtetutën tonë, por na ka dhuruar burrat e shtetit më të dëgjuar britanikë e, më së fundi, duhet thënë që ka kërcënuar aq dhunshëm dhe rrezikshëm Perandorinë Britanike, sa mbase as Franca me Gjermaninë nuk kanë mundur ta arrijnë. Shqiptarët kanë qenë faktor me rëndësi për shumë nga reformat që janë zhvilluar në historinë e fundit të Turqisë; Perandoria Otomane i është mirënjohëse racës shqiptare për shumë nga burrat e vërtetë të shtetit dhe gjeneralët e saj; ndërkohë bijtë e Shqipërisë kanë luajtur role të rëndësishme edhe në dhe të huaj. Krispi krenohej për prejardhjen e tij shqiptare; shefi i shtabit të gjeneralit Kadorna ruante të gjallë gjuhën e tij armëtarë; admirali Kunduriotis, si shumë grekë të tjerë të shquar, është një shqiptar i helenizuar; stërgjyshërit e dinastisë aktuale egjiptiane i kanë trojet e tyre në Epir.
Përmes trazirave e zënkave pa mbarim mes feudeve, që kanë shoqëruar historinë e këtyre të dy vendeve, Shqipëria gjithsesi ka mundur të ruajë territoret e saj për popullin e vet. Për ruajtjen të paprekur të burimeve të tokës së saj, Shqipëria, megjithëse me dhimbje, ka pranuar të paguajë një çmim të rëndë, duke mbetur shterpë dhe mesjetare, ndërkohë që elektriciteti dhe përdorimi i energjisë së avullit në vendet fqinje u ka sjellë atyre pamjen e një civilizimi modern. Brenda kësaj atmosfere mosbindjeje të shqiptarëve dhe pranimit në heshtje të gjendjes nga turqit, janë ndeshur e kanë bashkëjetuar interesat e ndërsjella të turqve e shqiptarëve, deri në revolucionin turk. Çfarë do të konsiderohej vendim vet sakrifikues për turqit, përbënte një përfitim të zgjatur për shqiptarët. Turqit donin që t’i mbanin shqiptarët si qenëri të egër, të gatshëm t’u hidheshin në grykë armiqve të Portës Osmane dhe për këtë Porta dukej gjithmonë e pritur për koncesione ndaj tekave apo nevojave të arnautëve*.
“Nuk duam rrugë”, thanë shqiptarët, “për ne ato janë nënshtrim, shfrytëzim dhe na humbasin trashëgiminë”.
“Shumë mirë”, u përgjigj Kostandinopoja; “nuk do të ndërtojmë rrugë”.
“Nuk duam të kemi as thirrje të detyruar në ushtri”, thanë me këmbëngulje shqiptarët, “ne kemi lindur të gjithë të lirë, pavarësisht në se jemi katolikë, ortodoksë apo myslimanë”.
Edhe për këtë Porta e Larte ra dakord dhe kështu shqiptarë të shumtë shkuan në ushtrinë turke si vullnetarë.
“Nuk duam të kemi gjykatës turq”, u deklaruan shqiptarët.
“Këtu ndalu, na duket se me këtë shkuat shumë larg”, u kundërpërgjigj Porta; “kjo është një çështje që prek pushtetin e lartë. Të bëjmë një kompromis. Gjykatësit të jenë turq, por ju premtojmë se ata nuk do të gjykojnë njeri”
“Pranojmë”, thanë shqiptarët.
Regjimi i vjetër në Turqi ishte i prirur të pranonte lejimin në Shqipëri të një lloji lirie, bile edhe shthurjen, që mund të shkonte deri në anarshi, pasi kjo, kohë pas kohe, mund t’i kryente disa shërbime të çmuara, kështu që mund të thuhet hapur se asnjëherë ligji turk nuk arriti të veprojë në male, por si të thuash gëloi në qytetet e Shkodrës, Elbasanit e Janinës.
Shqiptarët gjithnjë kanë qenë e janë të dashuruar pasiononte ndaj tokës së tyre e shkrepave të saj, aq sa dhe sistemi i jetesës është i ndërtuar mbi to. Gjithsesi vërtet një sistem i ashpër, por që i shkon këtij populli. Çdonjëri është polic I suksesshëm i vetvetes dhe hakmarrja është kodi i pranuar i tyre. Atë që Evropa e quan gjakmarrje, ata e emërtojnë drejtësi. Në syrin e vendeve të civilizuara, Shqipëria ishte një vend pa ligje, megjithatë krimet e rëndomtë që ndotin kronikat e zeza policore të Evropës Perëndimore ishin të rrallë.
Ka shumë për të thënë për kanunin shqiptar.
Në se nuk kishte udhë të hekurta, sjelljet kalorësiake të Mesjetës vazhdonin të ekzistonin; në se dikush e pësonte nga një vdekje e dhunshme në anë të rrugës, kjo nuk do të kishte të bënte me ndonjë grabitje të rëndomtë. E vërteta, trimëria dhe besnikëria ishin cilësitë e kultivuara dhe vlerësuara të këtij populli dhe këto njiheshin e pranoheshin nga të gjithë në tërë Lindjen e Afërt. Rojet e bankave nga Kajro në Greqi dhe nga Konstandinopoli në Jeruzalem, shpesh ishin shqiptarë. Thyerja e besës ose vjedhja e parave nga një shqiptar në një pozitë me përgjegjësi ishte mjaft e rrallë, për të mos thënë praktikisht e panjohur.
Shqiptarët kishin edhe një cilësi tjetër: kishin një sharme që ishte vetëm i tyre, toka e tyre ka një bukuri magjike tërheqëse që lë tek shumica e vizitorëve një përshtypje të pashlyeshme. Kjo ndihet nga malësitë aromatike me diell përzhitesh të veriut katolik, në pllajat e qeta të jugut dhe malet pas tyre që përfshijnë shkrepat e thepisura të Pindit e vargmalet Akrokeraune.
Përgjithësisht shqiptarët mund të ndahen në tre grupe: shqiptarët e Jugut, që janë të besimit ortodoks grek dhe gjerësisht dygjuhësh, duke zotëruar disa njohuri të dialektit modern të greqishtes, sado që shqipja mbetet si gjuhë e tyre armëtarë; toskët, që përfshijnë banorët shtatshkurtër të Shqipërisë Qëndrore, që kryesisht janë myslimanë; dhe gegët muhamedanë të veriut, emërtim që supozohet se vjen nga greqishtja gigas, gjigand. Si fqinjë të gegëve janë një numër fisesh katolike besnikëria e rreptë e të cilëve ndaj tokës së tyre shterpë ka përberë themelin e qendresës ndaj turqëve dhe sllavëve, një sakrificë e përhershme për ta.
Pamja dhe fiziku i veriorëve të Shqipërisë rivalizojnë çdo rrace në Evropë. Në një ditë pazari në Shkodër shihen malësorët e zhdërvjellët, me koka gjysmë të rruara, sy të gjallë, që nuk u shpëton asgjë, të përqendruar si tek interesi për mallin që duan, por edhe me një vetëdije të tendosur tek mundësia e afrimit të ndonjë armiku. Gratë shprehin një dashuri të pakrahasueshme e të ndryshme me çdo rracë tjetër. Ato duken si Madona që vijnë nga malet me dëborë, shkathtësia e mëndjemprehtësia e burrave të këtyre maleve, ua shtojnë edhe më tej bukurinë e thjeshtë origjinale.
Epoka e Shqipërisë moderne, si debutonte në gjirin e kombeve të tjera, nis më 1880, kohë kur Z.Goschen dhe Lordi Edmund Fitzmaurice paraqitën një memorandum për formimin e një Shqipërie autonome. Kufijtë, që propozuan ata për të, ndryshonin shumë nga ata të sotmit, pasi në të ata përfshinin rrafshnaltën e Kosovës, vilajetin e Shkodrës, qytetin e Janinës dhe pjesë të vilajetit të Manastirit. Ata ishin të paanshëm dhe propozimet e tyre synonin paqen. Këto propozime nuk u sendërtuan; Shqipëria përjetoi një periudhë vërtet të stuhishme prej vitit 1880 dhe deri sa kjo debutante, pas shumë copëtimesh, u paraqit më së fundi më 1921 para Gjykatës. Gjatë tërë këtyre viteve idea e unitetit politik u fuqizua shumë dhe kjo jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, në radhët e emigracionit në Rumani, Bullgari, Itali, Zvicër dhe Amerikë.
Gjatë shekujve që Turqia sundonte në Ballkan, ndjenja nacionaliste në vendet nën pushtim ishte mbërthyer në një gjumë të thellë. Bullgarët bënin bile një gjumë pa ëndrra, ndërsa serbët vetëm përmes ëndërrimeve kujtonin lavdinë e së shkuarës; aspiratat e Greqisë jetonin vetëm tek një rreth I kufizuar I inteligjencës. Në Shqipëri nuk kishte pasur as dyshime por as ëndërra, pasi populli nuk e kishte humbur për asnjë çast vetëdijen dhe sigurinë për racën e vet. Grindjet mes tyre nuk kishin veçse vlerën dueleve mes francezëve grindavecë, të cilat gjithsesi, deri kohët e fundit, ndodhnin në vigjilje dhe brënda kontekstit të betejave kundër armikut të jashtëm.
Shpirti i unitetit është endur gjatë mbi sipërfaqen e ujit, por deri tani nuk ka mundur ta gjejë barkën e shpëtimit. Përpara se vendi të mund të arrinte në një propozim të artikuluar dhe unik, i ishte dashur të kalonte përmes një prove të rëndë zjarri. Gjatë tërë dimrit të vitit 1912 malazezët u angazhuan në një fushatë propagandistike mes malësorëve të veriut. M.Hartëig, ministri fuqiplotë rus ne Beograd, kishte punuar në të njëjtat linja si dhe z.Venizellos në Athinë për një Aleancë Ballkanike. Aleanca serbo-bullgare u nënëshkrua më 1912, e cila u ndoq më pas me një aleancë serbo-malazeze. Malazezët dhe bullgarët patën për një kohë mirëkuptim dhe më 10 maj 1912, ish armiqtë e vjetër, Greqia dhe Bullgaria, të instrumentalizuar në një masë të ndjeshme nga Z.Bouchier, korrespondent i The Tajms, u bënë miq dhe nënshkruan një traktat. Tek turqit pas tërë këtyre u shtua ndjeshëm ankthi. Një komision nën kryesinë e Haxhi Adil Beut, shoqëruar edhe nga Z.Robert Graves, lëvizi nëpër Shqipëri me qëllim për të eliminuar shkaqet që mund të rëndonin gjëndjen. Në Shkodër, Haxhi Adili caktoi vali dhe komandant ushtarak të qytetit Hysein Riza Beun, I cili pas pak filloi fortifikimin e tij. Misioni, gjatë qëndrimit, më se një herë u gjend nën zjarrin armëve dhe dështoi në arritjen e suksesit. Shpejt pas largimit të tij, në Vilajetin e Kosovës shpërtheu një revoltë, në krye të së cilës ishte Isa Buletini. Shqiptarët po korrnin sukses. Ata morën Shkupin dhe u bënë zot të pjesës më të madhe të Veriut, ku unë pata fatin të shihja me sytë e mi incidente që përshkruhen në një kapitull tjetër. Porta gjykoi se duhej të binte në marrëveshje. Shqiptarëve iu premtua një autonomi që do të përfshinte vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe një pjesë të Manastirit. Ky koncesion, sipas zakonit të koncesioneve të vjetra, erdhi me vonesë. Ai i dha shtysë agresionit të aleatëve ballkanikë, nga që asnjë prej tyre nuk dëshironte të shihte një Shqipëri të pavarur. Luftimet shpërthyen gjatë gjithë kufirit malazez në Tuz, Kolashin dhe Andrejevicë, por turqit nuk deshën të deklaroheshin në luftë, megjithëse malazezët kishin përdorur edhe artilerinë afër Tuzit. Fuqitë ballkanike deklaruan luftën në fillim të tetorit.
Gjatë kryengritjes maqedonase më 1903 shqiptarët morën anën e revolucionarëve; më 1908 ata qenë forca lëvizëse në mbështetje të xhonturqve për shkatërrimin e regjimit të vjetër. Më 1912 ata ishin të gatshëm t’u bashkoheshin shteteve ballkanikë, por Greqia, Serbia dhe Mali I Zi ishin të uritur për ndarjen e Shqipërisë dhe nuk e dëshironin bashkëpunimin me një vend që nuk ishte I pajisur me artileri. Në se shqiptarët nuk do të kishin qenë të aftë e të shpejtë në nuhatjen e ngjarjeve të pritshme, do të ishin zhdukur shumë shekuj më parë dhe gjeneratave të tyre pasardhëse do t’u mungonte zgjuarsia e stërgjyshërve. Nuk ishte nevojshme të ishe profet për të parashikuar copëtimin e Shqipërisë në rrjedhojë të një fitoreje të aleatëve ballkanikë. Në gusht, para deklarimit të luftës nga shtetet ballkanike, Ismail Qemal Beu shkoi në Vlorë dhe me fillimin e saj u kthye në Konstandinopol. U kthye përsëri në Vlorë dhe shpalli mëvetësinë e Shqipërisë, duke ngritur flamurin kombëtar më 28 nëntor 1912. Për këtë vuri në dijeni fuqitë, të cilat nuk i kushtuan vëmendje. Grekët, të vetëdijshëm për lindjen e një shteti të ri, i morën çështjet në dorën e tyre dhe bllokuan Vlorën, vendqëndrimin e qeverisë provizore, anëtarë të së cilës tashmë ishin Dom Nikollë Kacorri, Myfid Bej Libohova dhe Mit’had Bej Frashëri.
Në Pjesën e dytë:
Njohja me Esad Pashën: Një burrë i mistershëm, i gatshëm ti shërbente çdo armiku veç për interesin e vet
Shqiptarët që njoha në udhëtimin nga Mali i Zi në Shkup, kodi i besës dhe mikpritjes, i dallon në mbarë rajonin.
Princ Vidi, rrethanat historike të dështimit të misionit, shqiptarët e ndarë në pro dhe kundër tij.