Wednesday, July 23, 2025
spot_img

PDK, LDK dhe AAK kritikojnë Qeverinë Kurti për rënien drastike të lirisë së medias në Kosovë

Tri partitë opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë reaguar ashpër pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij për vitin 2025, ku Kosova ka shënuar rënie drastike për 24 pozita në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për media, tha se kjo rënie përbën një nga momentet më të errëta në historinë e Kosovës, duke akuzuar Qeverinë Kurti për ndërtimin e një “regjimi linçimi dhe frikësimi”.

“Sot, të dhënat e publikuara nga Reporterët pa Kufij e rendisin Kosovën në vendin e 99 nga 180 shtete në botë për lirinë e shprehjes. Kjo është renditja më e ulët në historinë e Kosovës. Një rënie e turpshme, dramatike dhe alarmante: nga vendi 56 në vitin 2023, në vendin 75 në vitin 2024, për të përfunduar sot në vendin e 99-të! Dhe raporti nuk lë asnjë dyshim: për këtë katandisje është përgjegjëse qeveria e Vetëvendosjes,” theksoi ajo.

Sipas Deliu-Kodrës, sulmet ndaj gazetarëve, shpifjet ndaj qytetarëve dhe targetimi i zërave kritikë përmes propagandës, janë tregues të një pushteti që nuk toleron mendimin ndryshe.

Ajo përmendi gjithashtu edhe faktin se Kosova renditet më keq se Serbia në indeksin e lirisë së shtypit, duke e quajtur këtë një sfidë për ndërgjegjen qytetare.

“Nëse liria e fjalës në Kosovë është më e kufizuar se në Serbi, atëherë çfarë i bie të jetë Albin Kurti? Kjo është pyetje që e sfidon ndërgjegjen e çdo qytetari,” deklaroi Deliu-Kodra.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar me shqetësim ndaj të gjeturave të raportit, duke e konsideruar këtë regres si pasojë të tendencave autoritare të pushtetit aktual.

“Ky regres i theksuar është pasojë direkte e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti. Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij,” thuhet në reagimin e LDK-së.

Në komunikatë përmenden edhe emërimet e afërta politike në RTK, presioni ndaj mediave private, si dhe mungesa e mbrojtjes për gazetarët të cilët përballen me kërcënime dhe sulme.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur të reagojë përmes një shkrimi në Facebook, ku e ka cilësuar këtë rënie si rezultat të frikës dhe arrogancës politike.

“Liria e shtypit është fituar me sakrificë. Nuk duhet kurrë të shkëmbehet me heshtje. Kjo nuk është mënyra si nderohet lufta për liri. Një qeveri që ka frikë nga kritika, ka frikë nga populli i vet,” ka shkruar Haradinaj.

Kurse, zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka ka thënë se “Në Kosovë jo që ka liri të shprehjes, por ka liri absolute të të shprehurit. Madje deri edhe në mosndëshkim absolut të shpifjes.”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit