Kash Patel, i emëruari i Presidentit Donald Trump për postin e drejtorit të FBI-së, tha të enjten se ai është udhëheqësi i duhur për agjencinë e zbatimit të ligjit, që ai tha se kishte humbur besimin e publikut dhe u tha senatorëve se do të angazhohej në kryerjen e një “procesi të duhur dhe transparent” nëse do konfirmohej nga Senati.
Në seancën e tij të konfirmimit, Patel ishte i përgatitur për pyetjet thellësisht skeptike të demokratëve të Senatit në lidhje me besnikërinë e tij ndaj Presidentit dhe shprehu dëshirën për të përmirësuar FBI-në.
Ai është një mbështetës besnik i Trump, i cili, përpara se të emërohej për të udhëhequr FBI-në, e kritikoi atë për hetimet ndaj Presidentit dhe tha se rebelët e 6 janarit u keqtrajtuan nga Departamenti i Drejtësisë.
Senatori Dick Durbin, demokrati më i lartë në Komisionin Juridik të Senatit, tha se FBI-ja është kritike në mbajtjen e Amerikës të sigurt nga terrorizmi, krimi i dhunshëm dhe kërcënimet e tjera, dhe vendi “ka nevojë për një drejtor të FBI-së që e kupton peshën e këtij misioni dhe është gati që në ditën e parë, jo dikush që konsumohet nga ankesat e tij personale politike.”
Patel u emërua në nëntor për të zëvendësuar drejtorin e atëherëshëm Christopher Wray, i cili drejtoi agjencinë kryesore federale të zbatimit të ligjit në vend për më shumë se shtatë vjet, por u detyrua të largohej nga puna në të cilën Presidenti Trump e kishte emëruar në mandatin e tij të parë.
Ish-ndihmësi i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin dhe ish-prokurori federal që shërbeu në administratën e parë të Presidentit Trump, Kash Patel ka alarmuar kritikët me retorikën e tij në dhjetëra podkaste dhe libra që ai i ka shkruar, duke treguar mbështetje të hapur për zotin Trump dhe ka sulmuar vendimet e agjencisë që tani si dëshiron ta drejtojë.
Ai gjithashtu ka identifikuar emra zyrtarë që ai beson se duhet të hetohen.
Në një intervistë të vitit të kaluar, ai tha se nëse do të bëhej drejtor i FBI-në, do të “mbyllte” ndërtesën ku ndodhet selia e saj në Uashington dhe “do ta rihapte ditën tjetër si një muze të ‘shtetit të thellë’”.
“Dhe unë do të merrja 7000 punonjësit që punojnë në atë ndërtesë dhe do t’i dërgoja nëpër Amerikë për të ndjekur kriminelët. Shkoni bëhuni policë”, shtoi ai.
Në një artikull në gazetën Wall Street Journal të botuar të mërkurën, Kash Patel nuk përmendi disa nga komentet dhe kritikat e tij më të ashpra ndaj FBI-së, përveçse tha se koha e tij si punonjës i Dhomës së Përfaqësuesve që hetonte të metat e hetimit nga FBI-së të lidhjeve të Trump me Rusinë kishte treguar se si “Fuqia e pafund e FBI-së mund të shpërdorohej.”
“Unë drejtova hetimin që zbuloi se Ligji për Mbikëqyrjen e Informacioneve të Huaja të Zbulimit, një mjet që më parë e kisha përdorur për të kapur terroristët, ishte përdorur në mënyrë të paligjshme për të spiunuar kundërshtarët politikë”, shkroi ai. “Një sjellje e tillë është e papranueshme dhe minon besimin e publikut”.
Patel u zotua të jetë transparent nëse konfirmohet si drejtor dhe tha se nuk do të lejonte përfshirjen e FBI-së në vendime të prokurorisë, duke ia lënë ato Departamentit të Drejtësisë.
“Së pari, ata që janë të zotë, të bëhen policë”, shkroi zoti Patel duke përshkruar përparësitë e tij. “Udhëheqja nënkupton mbështetjen e agjentëve në misionin e tyre për të kapur kriminelët dhe për të mbrojtur qytetarët tanë. Nëse konfirmohen, unë do të përqëndrohem në thjeshtimin e operacioneve duke rritur praninë e agjentëve në terren, në të gjithë vendin. Bashkëpunimi me organet e zbatimit të ligjit është thelbësor për përmbushjen e misionit të FBI-së”.
Patel ka të përbashkët me zotin Trump skepticizmin mbi mbikëqyrjen e qeverisë dhe një sistemi politik të fshehtë që njihet si ‘deep state’, një term që përdoret nga presidenti për t’iu referuar burokracisë qeveritare.
Ai ishte pjesë e një grupi të vogël mbështetësish gjatë gjyqit të fundit penal të Trump në Nju Jork, të cilët e shoqëruan atë në gjykatë, ku ai u tha gazetarëve se Trump ishte viktimë e një “cirku antikushtetues”.
Kjo lidhje e tyre e ngushtë do të ndalonte traditën e drejtorëve të FBI-së që kanë mbajtur një distancë nga presidentët.
Disa senatorë demokratë në Komision e Senatit për Gjyqësor, që janë takuar me Patel, përfshirë Senatorin Durbin, kanë lëshuar deklarata duke sinjalizuar kundërshtimin e tyre ndaj konfirmit të tij. Ligjvënësit i bënë pyetje të shumta rreth tij edhe zonjës Pam Bondi, të emëruarës së Trump për prokurore të përgjithshme, kur ajo pati seancën e saj të konfirmimit këtë muaj, raporton VOA.
Aleatët republikanë të Trump, të cilët kanë qëndrim të ngjashëm me presidentin se FBI-ja është e politizuar, i kanë ofruar mbështetje zotit Patel. Ata e shohin atë si dikë që mund sigurojë ndryshimin e nevojshëm.
Senatori Chuck Grassley, kryetari republikan i komisionit, u përpoq t’i zbusë sulmet ndaj Patel paraprakisht duke u përqëndruar në nevojën për të reformuar FBI-në që sipas tyre shfrytëzohet ndaj kundërshtarëve.
FBI në vitet e fundit është përfshirë në hetime të shumta të bujshme politike, duke përfshirë jo vetëm dy hetimet federale ndaj Trump që rezultuan në padi, por edhe hetime ndaj Presidentit Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter.
“Nuk është çudi që besimi i publikut ka rënë në një institucion që është rrënuar nga abuzimi, mungesa e transparencës dhe shfrytëzimi ndaj kundërshtarëve politikë”, tha senatori Grassley. “Megjithatë, FBI mbetet një institucion i rëndësishëm, madje i domosdoshëm për ligjin dhe rendit në vendin tonë”.
Më vonë ai shtoi: “Z. Patel, nëse konfirmohesh, do të marrësh përgjegjësinë e një FBI-je që është në krizë.”